Banorët e lagjes “shpëtojnë” 20-vjeçaren nga grabitësit
Një 20-vjeçare ka rënë pre e hajdutëve të rrugës, por është shpëtuar nga djemtë e lagjes. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme te Rruga e Durrësit, në Tiranë, kur disa adoleshentë i janë afruar një vajze që po lëvizte në këmbë në mes të rrugës dhe i vodhën nga qafa varësen e floririt. Mësohet se e reja ka bërë rezistencë për të mbrojtur varësen, por autorët e kanë tërhequr zvarrë atë. Skena është parë nga disa djem të lagjes, të cilët u vërsulën menjëherë për të kapur autorët. Ata mundën të shtinin në "duar" njërin prej hajdutëve, të cilin nisën ta godisnin me shkelma e grushte. Efektivat e komisariatit të policisë nr.2, të sinjalizuar për ngjarjen, mbërritën në vendngjarje për të sqaruar rrethanat. Policia shoqëroi në komisariat autorin e dyshuar, i cili është M.K., 15 vjeç. Burime nga policia thanë se kanë nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur bashkëpunëtorët e tij.