Videoja Meta-Prifti, ekspertët: S’kemi aparatura
Tre ekspertët e përzgjedhur nga Gjykata e Lartë kanë kërkuar ndihmë përmes një letre, pasi nuk disponojnë aparaturat e nevojshme për ekspertimin e videos së filmuar nga Dritan Prifti
Ekspertët e videos Meta-Prifti nuk disponojnë aparatura profesionale për të kryer ekspertimet e nevojshme. Përmes një letre dërguar Gjykatës së Lartë, ata kanë kërkuar ndihmë, që t’u vihen në dispozicion aparaturat përkatëse për kryerjen normale të punës që kanë marrë përsipër. Kur ka mbetur edhe një javë kohë nga afati 1-mujor që Gjykata e Lartë la në dispozicion të tre specialistëve shqiptarë për ekspertimin e videos Meta-Prifti, ata i janë drejtuar kësaj gjykate me një letër me anë të së cilës kërkohet ndihmë. Mungesa e aparaturave të specializuara por edhe të licencuara si dhe i programeve të domosdoshme duket të jetë shkaku i postimit të letrës, adresuar të njëjtës gjykatë që i përzgjodhi 3 ekspertët për video-përgjimin e realizuar nga Dritan Prifti. Tri javë më parë, prokurori ngriti shqetësimin në sallën e gjykatës, kur këmbënguli që ata të përdornin programe kompjuterike të licencuara, të blera dhe të instaluara nga një subjekt i licencuar, në mënyrë që të shmanget penalizimi ligjor i përdoruesve të tyre. Nuk mund të flitet se çfarë qëndrimi do mbajë Gjykata e Lartë mbas kësaj letre, megjithëse ajo që dihet pikësëpari është data e takimit të palëve më 24 tetor për të dëgjuar ekspertët Ardian Pollo, Ermal Zeqiri dhe Artur Rrahmani mbi ekspertizën e orës si dhe laptopit ku ndodhen materialet audiovizive të filmuara nga Dritan Prifti, ekspertizë kjo që më së pari ishte kryer nga amerikani Glen Bart dhe që u depozitua në Gjykatën e Lartë nga Prokuroria e Përgjithshme, por që u konsiderua e pavlefshme për shkaqe proceduriale.