E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet biznesmeni, evazion me 3.7 milionë USD, tentoi t’i pastronte

28/10/2011  Antikrimi Ekonomik parandalon pastrimin e parave. Arrestohet 29-vjeçari Vaid Tarja

TIRANË- Për evazion fiskal dhe pastrim të parave, biznesmeni 29-vjeçar me origjinë nga Elbasani u prangos dje nga Antikrimi Ekonomik në Policinë e Shtetit dhe Prokuroria e Elbasanit. Aksioni i koduar “CLEAN” zgjati për një vit, ku u arrit të zbulohej dhe vërtetohej fakti se Vaid Tarja, në cilësinë e administratorit të 3 kompanive që merreshin kryesisht me minerare dhe inerte, kishte realizuar një shitje prej 3 milionë e 700 mijë dollarësh, shumë të cilën jo vetëm që nuk e deklaroi në shtet, duke krijuar kushte për evazion fiskal, por tentoi ta investonte në aktivitete të tjera, duke i shtuar vetes edhe akuzën e pastrimit të parave. Kështu, nën drejtimin profesional, Antikrimi Ekonomik në Policinë e Shtetit, në vazhdën e aksioneve të shumta, mundësoi evidentimin e këtij rasti tepër flagrant. Lajmi u mësua nga burimet zyrtare të policisë, të cilat thanë se Vaid Tarja, 29 vjeç, banues në Tiranë, pronar i shoqërive “U&E MANAGMENT”, “ALBA-CLEAN”, dhe “SILVIO” akuzohet për veprat penale të “shpërdorimit të kompetencave”, “fshehjes së të ardhurave”, “mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Akuzat lindën pasi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë të konsiderueshme prej 3.705.555 USD, të cilën ka tentuar ta investojë në biznese të ligjshme. Arrestimi i shtetasit Vaid Tarja u bë i mundur pas një hetimi prej rreth një viti, me përdorim dhe të metodave speciale të hetimit, të zhvilluar nga Drejtoria kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e rrethit gjyqësor Elbasan. Shuma prej 3.705.555 USD rezultoi që të jetë tërhequr nga shtetasi Vaid Tarja, nga llogaritë bankare të shoqërisë “U&E Managemant” sh.p.k, duke qenë dhe në detyrën e administratorit të kësaj shoqërie. Të gjithë këtë shumë të përfituar në mënyrë të paligjshme ky shtetas ka tentuar të investojë në biznese të ligjshme, duke krijuar dhe shoqëri të ndryshme. Aktivitetet e tij kishin kryesisht karakter të bizneseve të minerareve dhe inerteve. Në përfundim të hetimeve të kryera, materialet në ngarkim të shtetasit Vaid Tarja i kanë kaluar Gjykatës së rrethit gjyqësor Elbasan, e cila bazuar në materialet e grumbulluara, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj këtij shtetasi për veprat penale të sipërcituara parashikuar nga nenet 164, 180, 181 dhe 287 të Kodit Penal.

3 milionë USD

Nga realizimi i një shitjeje, shumë të cilën nuk e deklaroi tek organet tatimore, ka përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë të konsiderueshme prej 3.705.555 USD, të cilën ka tentuar ta investojë në biznese të ligjshme.

Akuzat

Biznesmeni Vaid Tarja akuzohet për veprat penale të “shpërdorimit të kompetencave”, “fshehjes së të ardhurave”, “mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›