E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma, përjashtohet nga diskutimi ndryshimi i sistemit zgjedhor

28/10/2011  PD e PS nisin negociatat sipas rekomandimeve të OSBE–ODIHR-it

Dy partitë kryesore në vend, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, kanë nisur konsultimet mes tyre për realizimin e reformës zgjedhore. Konfirmimi është bërë nga dy të ngarkuarit për këtë çështje, deputeti i PS-së Damian Gjiknuri dhe ai i PD-së Viktor Gumi. “Ka komunikim me palën tjetër, dhe kjo është shumë e rëndësishme për të nxjerrë një produkt të përbashkët. Këto janë zyrtare. Nuk ka rëndësi që gjërat të bëhen përpara medieve, sepse, kur ulen ndonjëherë dhe nuk ka zgjidhje, kthehen më shumë në një debat politik. Do të kemi një ndërmjetësim intensiv nga komuniteti ndërkombëtar për të arritur një produkt të arsyeshëm, duke reflektuar ato shqetësime që ka opozita, por dhe ato shqetësime që i ka shprehur maxhoranca”, - tha Gjiknuri. Ndërsa deputeti Gumi, më i rezervuar në dhënien e detajeve të bisedimeve, shkurt ka deklaruar se “negociatat vazhdojnë”. Gjithsesi, palët duket se janë dakord për të punuar mbi 52 rekomandimet e OSBE–ODIHR, nga e cila sigurisht që është i përjashtuar diskutimi për sistemin zgjedhor, një diskutim ky i cili nuk do të preket. “Ne nuk duam të kondicionojmë reformën me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Pra, nuk është në interesin tonë”, - tha deputeti socialist. Me përjashtimin e kësaj pike nga diskutimi PD-ja e PS-ja mënjanojnë kërkesën e partive të vogla, të cilat janë deklaruar vazhdimisht për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ajo pikë që deri tani mendohet se është debatuar mes negociatorëve të forcave kryesore politike, lidhet me mënyrën se si ata do t’i drejtohen OSBE–ODIHR-it për asistencë. Mësohet se opozita ka kërkuar që për një pjesë të reformës t’u drejtohen organizmave ndërkombëtarë, ndërsa demokratët e kundërshtojnë këtë mëkresë me argumentimin se nuk mund të trajtohet një pjesë e reformës në tryezën e negociatave mes partive dhe një pjesë tek OSBE–ODIHR-i. “U takuan të dyja palët, Komisioni i Venecies dhe ODIHR-i, dhe u bë e qartë se mënyra e vetme për të ofruar asistencë është nëpërmjet komisionit të reformës zgjedhore. Pra, përtej asaj që thuhet se partitë kanë të drejtë të drejtohen, ky ishte një spekulim”, - vijoi Gjiknuri.

Përurimi i rrugëve

Berisha viziton Tropojën pas dy vjetësh

Kryeministri Berisha do të zhvillojë sot paradite një vizitë në qytetin e tij të vendlindjes, Tropojë. Zyra e kryeministrit njoftoi dje zyrtarisht për këtë vizitë dhe arsyet e saj, duke saktësuar se kreu i qeverisë në orën 10:00 do të marrë pjesë në përurimin e aksit Bajram Curri–Rragam–Kam, Tropojë (loti 1, rreth 17 km) dhe të aksit Bajram Curri–Rragam–Kam, Tropojë (loti 2, rreth 15 km). Vizitat e shefit të ekzekutivit në vendlindjen e tij në vitet e demokracisë kanë qenë të limituara. Kryesisht mungesa e tyre jozyrtarisht është justifikuar me probleme sigurie, por një gjë e tillë duket e tejkaluar nga kryeministri. Herën e fundit që Berisha e ka vizituar Tropojën ka qenë në mesin e qershorit të vitit 2009 për të bërë fushatë, pasi më 28 të këtij muaji presidenti kishte dekretuar ditën për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Mbrëmjen e 14 qershor 2009 kryeministri Berisha shkoi në rrethin e Tropojës, pas 12 vjetëve mungesë. Ai u prit nga disa mijëra banorë të qytetit, ndërkohë që në tubimin e elektoral të zhvilluar paraditen e së nesërmes premtoi se edhe Tropoja do të jetë një qytet evropian, e cila do të ketë një zhvillim të madh të infrastrukturës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›