E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie në pus, humb jetën 40-vjeçari

ELBASAN Një 40-vjeçar ka humbur jetën në fshatin Trepsenisht të komunës Tregan në Elbasan, ndërsa ishte duke punuar për hapjen e një pusi në afërsi të banesës së tij. Haki Berdufi 40 vjeç, baba i dy fëmijëve, ka ndërruar jetë si pasojë e rënies disa metra nga lartësia. Edhe pse familjarë e të afërm janë përpjekur për t’i dhënë ndihmën e parë, ai nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të politraumës. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia, ekspertët dhe grupi hetimor, e sipas të dhënave paraprake rezulton se ngjarja ka qenë aksidentale. Fundi i verës dhe muajt e vjeshtës konsiderohen si periudha më e përshtatshme e hapjes së puseve nga mjaft banorë të zonave rurale në Shqipërinë e Mesme. Por metodat e përdorura janë tradicionale e mjaft të rrezikshme. Gjatë vitit të kaluar, 2 shtetas humbën jetën në të njëjtat rrethana, si pasojë e rënies në kontakt me korrentin e pompës elektrike dhe të gazeve helmuese të çliruara nga nëntoka. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›