Kapet droge e Lazaratit ne Janine
Policia e Gjirokastrës dhe ajo e Janinës kanë bashkëpunuar për realizimin e një operacioni antidroge në aksin rrugor Janinë -Antirio, në kilometrin e 4.
Një 35 vjeçar është vënë në pranga ndërsa është sekuestruar sasia e kanabis sativa prej 137 kg.
Vetë i arrestuari ka pranuar se e ka ngarkuar mjetin me drogë në kufirin midis Konispolit dhe Mavromatit të Iguminecisë nga disa shtetas shqiptarë dhe do ta çonte mallin në një shtëpi me qera në Athinë.
Në pakot e drogës që ishte marrë në Lazarat shkruhej "Buli" dhe prej këtij fshati ajo ka dalë nga Sopoti më kafshë.
Policia e Gjirokastrës ka mbajtur në vëzhgim transportuesit derisa ata kanë bërë dorëzimet matanë kufirit, ku në veprim është hedhur policia greke. Operacioni i dy policive homologe po vazhdon për kapjen e personave të tjerë të implikuar në rrjetin trafikimit të lëndëve narkotike.
Ndërkaq, dy persona janë vënë në pranga, dy të tjerë janë në kërkim, ndërsa policia ka sekuestruar 40 kg kanabis sativa në vendin e quajtur “ish zona industriale”, poshtë varrezave të qytetit, buzë lumit Drino. Policia është vënë në lëvizje pas njoftimit se një banor nga fshati Lazarat, ka transportuar dy çanta shpine me lëndë narkotike nga fshati Lazarat deri në Kordhocë, poshtë rrugës nacionale. Më pas çantat me lëndë narkotike i kanë marrë për ti transportuar me krahë dy të rinj nga Gjirokastra. Për të anashkaluar postobllokun e Policisë, i cili funksionon në aksin rrugor Gjirokastër- Kordhocë, dy personat kanë filluar lëvizjen nëpërmjet shtratit të lumit Drino. Droga do të transportohej me krahë nga Kordhoca deri në hyrje të qytetit Gjirokastër, tek fundi i varrezave të qytetit. Më pas lëndën narkotike do ta merrte një shtetas nga Fieri dhe lënda narkotike kishte si destinacion përfundimtar qytetin e Fierit për konsum të brendshëm. Personat e arrestuar janë, Osman Kovaçi, 21-vjeç dhe Alvaro Lika 21 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër.