Skandali te Qemal Stafa, dosja peng e ekspertizës
Skandali i fikjes së dritave në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” gjatë ndeshjes Gramozi-Real i Madridit, ende nuk ka asnjë të akuzuar ligjërisht. Prokuroria e Tiranës ka filluar verifikimet, por megjithëse kanë kaluar dy muaj nga ngjarja, ende nuk ka dalë një përgjigje konkrete nga ekspertiza e transformatorit. Nisur nga kjo situatë, Prokuroria e Tiranës është në dilemë për vazhdimin e hetimeve, pasi nga materialet e referuara nga policia konstatohet se nuk ka vepër penale. Shkeljet, si moszbatimi i rregullores së stadiumit, mosvënia e një burimi tjetër energjie si gjeneratori, apo mosrespektimi i rregullores i UEFA-s, që parashikon pikat kur ndërpritet ndeshja, sipas akuzës janë shkelje administrative dhe jo penale. çelësi për vazhdimin ose jo të hetimeve për të sqaruar rrethanat e këtij skandali është vetëm ekspertiza ligjore. Perikli Dhales nuk është thirrur asnjëherë të dëshmojë, pasi akuza është mjaftuar me deklarimet që ka dhënë në polici.
#