E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet Bujar Murati, ish-drejtori i Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme

Gjykata e Lartë

Gjykata e Lartë ka liruar dje nga burgu drejtorin e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti. Bujar Murati do të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi është cilësuar nga Kolegji Penal i Gjykatës Supreme i parrezikshëm për shoqërinë. Vlerësimi i masës së sigurisë është kryer dje pasdite, ndërsa janë rrëzuar dy vendimet e Shkallës së Parë dhe të Apelit, që kishin vendosur arrest me burg për Muratin. Ish-drejtori i Prokurimeve Publike, Bujar Murati, kërkoi liri nga Gjykata e Lartë vetëm pak ditë pas lirimit nga qelia të dy “bashkëpunëtorëve” të tij, Tahir Imami dhe Redi Popesku. Shkak për këtë rekurs është bërë ndryshimi i masave të sigurisë për të gjithë të dyshuarit si bashkëpunëtorë të Muratit në paracaktimin e fituesit të tenderit të uniformave me vlerë prej miliona lekësh. Ndërkaq, pak ditë më parë ishte Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, e cila me kërkesë të të dyshuarit Popesku e liroi atë nga qelia, duke i caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Pak ditë para lirimit të Popeskut, ka qenë treshja gjykuese e Gjykatës së Lartë e cila ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë edhe për të dyshuarin Tahir Imami, me detyrë ish-shef i Prokurimeve Publike pranë Gardës së Republikës. Ndërkohë, para lirimit të këtyre të dyve, ka qenë Gjykata e Apelit ajo që ua ka ndryshuar masat e sigurisë edhe tregtarëve Artan Berberi, Jani Gjergjefi, Agur Sadiku, duke i lënë me “detyrim për paraqitje” dhe “arrest shtëpie”.

Krahas zbehjes së dosjes nga ana e gjykatave, zyra e Task-Forcës pranë prokurorisë së kryeqytetit konfirmoi se në Bullgari është arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare edhe tregtari i katërt, Ilir Sulo. Sipas akuzës, katër tregtarët Artan Berberi, Jani Gjergjefi, Agur Sadiku dhe Ilir Sulo kanë paguar 125 mijë euro te tre zyrtarët shtetërorë: Bujar Murati, me detyrë ish-drejtor tashmë i Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, shtetasi Tahir Imami, me detyrë ish-shef i Prokurimeve në Gardën e Republikës, si dhe Redi Popesku, me detyrë specialist në Ministrinë e Integrimit, që luante rolin e ndërmjetësuesit. Për paracaktimin e fituesit të tenderit me objekt “Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre”, me fond limit rreth 1.2 milionë euro të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, duke përfituar 10% të shumës së vlerës totale të tenderit. Tashmë të gjithë të akuzuarit janë lënë të lirë nga gjykatat shqiptare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›