E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beçaj pret Kryeprokurorin spanjoll: Drejtësia, çelësi për në BE

Vizita

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ka pritur dje Prokurorin e Përgjithshëm të Spanjës, Candido Conde-Pumpido Touron, duke i bërë me dije se sistemi i drejtësisë në Shqipëri po punon seriozisht për të përmbushur sfidat që të çojnë drejt BE-së. “Jo vetëm shteti ynë, por dhe drejtësia shqiptare janë duke bërë maksimumin e tyre për të ngritur sa më lart nivelin e integritetit, pavarësisë së gjyqësorit si një gur i sigurt themeli për një demokraci reale e të fortë”, tha në fjalën e saj Kryegjyqtarja, e cila theksoi se tashmë është prioritet lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit për të bërë të mundur kthimin e besimit te publiku, duke dhënë mbi të gjitha vendime të drejta dhe të arsyetuara. Në fjalën e tij, Kryeprokurori i Spanjës, Touron, pasi bëri një përshkrim të detajuar të sistemit gjyqësor dhe të akuzës në vendin e tij, i konfirmoi Beçajt se do të ketë ndihmën e tij dhe të ambasadës spanjolle në vendin tonë, në mënyrë që në një të ardhme të afërt të shihet mundësia e një bashkëpunimi konkret në fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me Gjyqësorin në përgjithësi dhe Gjykatën e Lartë në veçanti, duke e ftuar Kryetaren e Gjykatës së Lartë për një vizitë në Spanjë. Sipas tij, pavarësia, liria dhe efikasiteti në dhënien e drejtësisë janë vlera shumë të rëndësishme për Bashkimin Europian. “BE ka vullnet për të bashkëpunuar me ju dhe mbi të gjitha vlerëson dhe mbështet punën tuaj të deritanishme në forcimin e institucioneve tuaja”, tha Touron.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›