E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet "furnizuesi" i heroinës së Pub-eve

Sajmir Kadilli u kap pranë QSUT-së, me afërsisht 500 doza heroinë, e destinuar për fundjavën e PUB-eve. Operacioni i pestë në dy javë

TIRANË- Policia e kryeqytetit arrestoi dje një person që dyshohet se shpërndante drogë në zonën e "Bërrylit" në Tiranë dhe sekuestron rreth 80 gramë lëndë narkotike e dyshuar si heroinë, e cila përmbante afërsisht 500 doza për përdorim.

Dyshohej se do të shpërndahej në pabe gjatë ditës së premte dhe të shtunë. Sajmir Kadili, 31 vjeç, me banim në Tiranë, u u prangos nga antidroga e Tiranës, pasi u kap me heroinë në afërsi të shkollës së bashkuar nga agjentët e antidrogës.

Gjatë kontrollit të kryer ndaj tij, iu gjet një sasi e konsiderueshme heroine, që mendohet se do të shpërndahej e se e kishte bërë gati për të shitur tek porositësit e saj. Ky i fundit dyshohet se do ta shiste gjatë fundjavës në pabe të ndryshme të kryeqytetit.

Nga të dhënat e Policisë së Tiranës mësohet se 31- vjeçari është arrestuar pranë Qendrës Spitalore "Nënë Tereza", pas informacioneve që kishin uniformat blu për vendndodhjen e tij.

Mësohet se Kadili mbahej në vëzhgim nga agjentët e Antidrogës në Policinë e kryeqytetit, pas informacioneve për aktivitetin e të arrestuarit. I ndaluari banonte në pranë të një lokali nate të njohur në kryeqytet dhe sipas policisë, lënda narkotike që i është sekuestruar dyshohet se ishte bërë gati për t'u shitur në zonën e "Bërrylit" në Tiranë.

Sipas policisë, Sajmir Kadili dyshohet se ka shitur lëndë narkotike dhe më parë në këtë zonë dhe për këtë ishte person nën hetim.

Në momentet që iu është gjetur sasia e lëndës që dyshohet të jetë heroinë, Kadili është dërguar në ambientet e Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje për destinacionin e drogës që i është sekuestruar. Policia po heton nëse i arrestuari ka bashkëpunuar me persona të tjerë për të bërë të mundur shpërndarjen e lëndës narkotike.

Ndërkohë strukturat e Antidrogës po hetojnë dhe nëse i ndaluari shpërndante më parë drogë në zonat e tjera të kryeqytetit. Pasi është arrestuar, 31 vjeçarit i është komunikuar akuza e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Për këtë akuzë ai do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës.

Ky është operacioni i katërt antidrogë i Policisë së kryeqytetit, brenda dy javësh. Të premten, strukturat e Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, sekuestruan rreth 2 kilogramë mariuanë dhe prangosën katër të rinj si posedues të lëndës narkotike.

Droga u sekuestrua në banesat e të arrestuarve që ndodhen pranë një qendre tregtare të rrugën "Komuna e Parisit" gjatë një operacioni policor të koduar "Kodra e Diellit". Ndërkaq, në fillim të javës së kaluar, oficerët e antidrogës sekuestruan rreth 14 kilogramë marijuanë, e gjithashtu në një operacion tjetër u arrestuan 9 shpërndarës heroine.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›