E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenerali Clark ftohet për vizitë në Kosovë

Shoqata “Miqtë e Amerikës - Miqtë e Bill Clintonit” do t’i drejtojnë një ftesë gjeneralit Wesley Clark për të vizituar Kosovën, me ç’rast edhe do të publikohet një libër, në të cilin vend kyç do të zënë vendimet dhe deklaratat e gjeneralit amerikan gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës - Miqtë e Bill Klintonit”, Agim Rexhepi, tha sot në një konferencë për media, se vizita e gjeneralit Clark pritet të bëhet më 24 mars, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve të forcave ushtarake serbe.

Sikur raporton KosovaPress, Rexhepi bëri të ditur se që nga java e ardhshme do të fillojë grumbullimi i mjeteve për rregullimin e sheshit “Bill Clinton”. Sipas tij, parashihet që për rregullimin e këtij projekti nevojiten rreth 30 mijë euro, mjete këto të cilat do të transferohen në Bankën Raiffeisen, përkatësisht në konton e shoqatës.

Rexhepi ka ftuar të gjithë njerëzit vullnet mirë, kompanitë private e shtetërore, si dhe institucionet jo vetëm në Kosovë, por edhe ato në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi që të derdhin mjete për realizmin e këtij projekti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›