Reshjet, situata me probleme në disa komuna

Tiranë, 13 shkurt, NOA- Reshjet e shiut dhe të
borës kanë krijuar situatë të vështirë në disa qytete dhe komuna të
vendit. Lajmi bëhet i ditur nga Qendra Kombëtare Operacionale të Emergjencave
Civile, e cila ka dhënë informacionin më të fundit në lidhje me situatën.
Në Qarkun e Shkodrës ka pasur reshje shiu, me
intervale. Në lartësitë mbi 600 m ka patur reshje dëbore. Në rrethin e Pukës
dje dhe sot në vazhdim ka patur reshje bore. Kjo ka bërë që të kalohet me vështirësi
rruga Qafë Mali-Fierzë, pasi në këtë aks trashësia e borës ka arritur deri në
40 cm. Polica ka lejuar qarkullimin vetëm mjetet e vogla dhe me zinxhirë, ndërsa mjetet e rënda janë
bllokuar për shkak të sigurisë në rrugë. Gjithashtu dhe komuna e Iballës është
bllokuar përsëri nga reshjet e borës.
Në rrethin e Mirditës, ka patur reshje shiu
dhe situata rrugore është përmirësuar ndjeshëm. Në rrethin e Kukësit ka patur
reshje të dobëta shiu, dhe në lartësitë mbi 400 reshje bore, pa ngrica, për
rrjedhojë nuk ka akse rrugorë të bllokuar. Në aksin rrugor Qafë Mali-Qafë
Shllak, kalohet me vështirësi dhe me zinxhirë. Në këtë zonë komuna e Arrnit
vazhdon të jetë e bllokuar. Në drejtim të komunave Grykë Çaj, Bushtricë, Zapod
dhe Lekbibaj, qarkullohet me vështirësi dhe në segmente të veçanta për shkak të
ngricave, me zinxhirë.
Edhe në qarkun e Dibrës ka patur reshje të
pakta bore. Në qytetin e Bulqizës trashësia e borës është 15 cm, ndërsa në
zonat rurale ka shkuar deri në 30cm. Rruga që lidh Peshkopinë me Lurën, vazhdon
ende e bllokuar, por lidhja e Komunës Lurë realizohet me vështirësi, nëpërmjet
Kurbneshit. Në të gjithë territorin e Dibrës vetëm komuna e Trebishtit është
bllokuar.
Në qytetin e Korçës lartësia e borës është
deri në 15 cm. Policia njofton se nuk ka patur probleme shqetësuese apo akse rrugorë të bllokuar. Ndërkohë
që problem është rrëshqitja e dherave në akset kryesore.
xh/NOA