E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet grabitësi i agjencisë së transfertave

Operacioni i koduar "Ardenica 2009", i zhvilluar nga seksioni i krimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorin e një grabitjeje të ndodhur 20 ditë më parë në një agjenci të transfertave të parave në Komunën e Mbrostarit të rrethit Fier.

Zyrtarisht, Drejtoria e Policisë së Qarkut ka deklaruar se në orën 01:00 të së enjtes ka vënë në pranga Klodian Zoton, lindur e banues në fshatin Ardenicë. 29-vjeçari është arrestuar për veprat penale "vjedhje", si dhe "prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake". Burimet zyrtare nga policia e Fierit bëjnë të ditur se i riu, në datën 4 prill të këtij viti ka shkuar në orët e mbrëmjes në një agjenci transfertash në fshatin Mbrostar të komunës me të njëjtën emër në rrethin e Fierit. Me anën e thyerjes, si dhe kërcënimit të pronarit të kësaj pike, 29-vjeçari dyshohet se ka grabitur shuma të konsiderueshme me prerje të ndryshme valute dhe lekësh. Mësohet se 500 mijë lekë dhe 1 mijë euro ka qenë shuma e grabitur prej tij. Pas ngjarjes, 29-vjeçari është larguar dhe për gati 20 ditë ka mundur t‘i shpëtojë prangosjes. Ndërkohë, policia kishte nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe gjatë zbatimit të operacionit "Ardenica 2009" janë përgjuar telefonat e disa personave të dyshuar, si dhe janë bërë ekspertiza të hollësishme të gjurmëve të lëna në pikën e vjedhur, nga ku ka rezultuar se gjurmët i përkisnin 29-vjeçarit Klodian Zoto.

Pas arrestimit të Zotos, policia ka ushtruar kontroll në banesë, ku i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy automatikë kallashnikovë dhe dy krehër me 50 fishekë, që i riu i mbante pa leje. Tashmë ndaj tij ka nisur procedimi penal për dy veprat penale dhe materialet i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›