E Diel, 1 Nëntor 2026

"Mësuesi na prek në vende të turpshme"

Një mësues i lëndës së matematikës i dënuar më parë për kryerje të veprave të turpshme është bërë sërish burim shqetësimi me veprimet e tij për nxënësit dhe prindërit, por dhe stafin e një shkolle tjetër në rrethin e Beratit. Komunikimi jo i rregullt me nxënësit, paraqitja në shkollë në gjendje të dehur, ndërmarrja e nismave që bien ndesh me urdhrat e eprorëve, kanë qenë disa nga ankesat e ngritura prej nxënësve dhe prindërve të tyre, që kanë mbërritur pranë drejtorisë së shkollës Çiflik ndaj mësuesit Engjëll Bregu, i dënuar më parë me gjashtë muaj heqje lirie në vitin 2003 për veprime të turpshme me të mitura.

Shqetësimet për shkollën nëntëvjeçare të fshatit Çiflik në rrethin e Beratit kanë nisur që prej datës 1 shkurt të këtij viti, kohë në të cilën ka nisur mësimdhënien mësuesi Bregu, pas transferimit nga shkolla e fshatit Hinkë, lëvizje kjo e njohur mes mësuesve, për të qenë sa më pranë banesave të tyre. Por, me sa duket Bregu ka nisur sërish të shfaqë probleme dhe në shkollën ku aktualisht jep mësim. Kanë qenë fillimisht disa ankesa të ardhura nga vajzat, për ngacmime nga mësuesi i ri i matematikës, por këto ndonëse janë bërë të njohura deri tek inspektori i policisë së zonës, janë mbyllur në muajin mars nga një marrëveshje e arritur nga vetë prindërit dhe mësuesit. Por, duket se historia nuk ka mbaruar me kaq.

Veprimet e mësuesit që shkojnë deri në akuzat e ngritura prej disa vajzave për ngacmime gjatë zhvillimit të mësimit, por dhe të tjera si paraqitja në shkollë në gjendje të dehur kanë bërë që fillimisht vetë nxënësit dhe më pas prindërit të reagojnë duke i kërkuar drejtorisë së shkollës largimin e tij. Ndërkohë, drejtoria e shkollës në bazë të ankesave të ardhura nga prindërit ka hartuar një kërkesë pranë Drejtorisë Arsimore në Berat ku kërkon largimin e mësuesit, por pa ngritur akuza të rënda, siç është ngacmimi i nxënëseve, por duke e zbutur këtë akuzë në "sjellje jo të rregullt".

Drejtori i shkollës nëntëvjeçare, Asllan Hajdini, ka pohuar se mësuesi i lëndës së matematikës ka ardhur në këtë shkollë në muajin shkurt ku dhe vazhdon të japë mësim. Ai sqaron se ditët e fundit, 30 prindër janë ankuar për mësuesin në fjalë, duke kërkuar largimin e tij nga puna. Sipas drejtorit, ankesat kanë ardhur fillimisht pas një ekskursioni që mësuesi Bregu ka zhvilluar me klasat e shtata pa miratimin e drejtorisë së shkollës dhe asaj të arsimit.

Ndonëse drejtori i shkollës, dhe më pas ai i arsimit e kanë ndaluar zhvillimin e ekskursionit, mësuesi e ka realizuar atë dhe i ka çuar nxënësit të vizitojnë pikën turistike të Ardenicës. Ndërkohë mbi mësuesin, veç zhvillimit të ekskursionit pa leje, janë ngritur dhe akuza të tjera. Sipas drejtorit, prindërit e kanë akuzuar mësuesin për paraqitjen në shkollë në gjendje të dehur, përdorimin e një komunikimi jo të rregullt me nxënësit dhe mungesat e shpeshta në shkollë.

Mësohet se 13 prindër mes tyre dhe kryetari i bordit të prindërve, kanë firmosur një kërkesë të hartuar nga drejtoria ku kërkojnë largimin nga puna të mësuesit Bregu. Por, ndonëse ndaj tij janë ngritur dhe akuza për ngacmime të disa nxënëseve, prindërit nuk kanë pranuar t‘i konkretizojnë këto dyshime duke shmangur kështu identifikimin e vajzave të tyre.

Në këto kushte kërkesa me gjashtë pika ku kërkohet largimi i mësuesit firmosur nga prindërit ka mbërritur ditët e fundit pranë Drejtorisë Arsimore në Berat. Drejtori i kësaj drejtorie, Yzedin Hima, ka pohuar se sapo është vënë në dijeni të këtij problemi, ka dërguar në shkollën nëntëvjeçare të fshatit Çiflik shefin e kuadrit Beqir Baçe për t‘u njohur me ankesat e nxënësve e prindërve. Hima thotë tashmë kjo drejtori është duke bërë një analizë të thellë të problemit dhe siguron se vendimi që do të merret do të jetë në favor të nxënësve të shkollës, që numëron 194 të tillë dhe të komunitetit të zonës.

Precedenti

Në 2003 ngacmoi nxënëset

në shkollën e Uznovës

Në vitin 2003 disa vajza të klasës së shtatë së shkollës tetëvjeçare të lagjes Uznovë në Berat kanë denoncuar në drejtorinë e shkollës se mësuesi i matematikës, Engjëll Bregu, gjatë një ekskursioni të bërë në Bogovë, i kishte prekur në vende të turpshme. Pas akuzave të ngritura prej vajzave, drejtoria ka kërkuar ndihmën e policisë dhe Bregu është arrestuar dhe më pas dënuar me gjashtë muaj burg për vepra të turpshme me të mitura. Pas kryerjes së dënimit, mësuesi është rikthyer sërish në arsim në fund të vitit 2004.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›