E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmet, kapet "shefja" e trafikantëve

Një 33-vjeçare nga Përmeti bie në prangat e policisë së bashku me dy bashkëpunëtorët e saj gjirokastritë, gjatë një operacioni të policisë së Gjirokastrës. Operacioni i koduar "Parkimi i fundit" është finalizuar dje në mesditë me prangosjen e tre personave që akuzohen për trafik klandestinësh. Grupi i mirorganizuar, i kryesuar nga gruaja, merrej me trafikimin e klandestinëve nga Shqipëria për në territorin e shtetit fqinj, Greqisë. Burime zyrtare nga policia kanë bërë të ditur se gjatë orëve të mesditës së djeshme, janë arrestuar Marjana Nako, 33 vjeçe nga Përmeti, Lame Dhandili, 48 vjeç dhe 37-vjeçari Artur Stroka, të dy nga Gjirokastra. Mësohet se drejtimi i grupit të trafikuesve i ishte besuar gruas nga Përmeti, për të shmangur kontrollin dhe fshehur më mirë veprimtarinë e paligjshme. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se klandestinët rekrutoheshin nga lidhjet e krijuara nga 33-vjeçarja me persona në rrethe të ndryshme të vendit, përfshirë këtu: Dibrën, Durrësin, Beratin, Fierin, Lushnjën. Ata gjenin kontingjentin e klandestinëve, të cilët merreshin dhe kaloheshin për në shtetin grek. Prangosja e "shefes" së grupit ka zbardhur dhe mekanizmi që përdorej për të transportuar klandestinët nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Klandestinët kaloheshin përmes kufirit jeshil në pikat kufitare apo pranë tyre në "Tri Urat" në Përmet dhe Kakavijë. Çmimet e kalimeve ilegale drejt Greqisë varionin nga 1800 në 2000 euro për person. 33-vjeçarja Nako ndihmohej nga Dhandili dhe Stroka, si dhe nga persona të tjerë emrat e të cilëve ende nuk bëhen publikë, për shkak të hetimeve. Mësohet se ka dhe disa persona që janë evidentuar si bashkëpunëtorë të grupit, por punohet ende për të bërë dokumentimin ligjor të aktivitetit të tyre kriminal. Investigimi i këtij grupi, kishte nisur muaj më parë dhe sipas të dhënave nga policia, tre të arrestuarit, muajt e fundit kanë arritur të kalojnë përtej vijës së kufirit një numër të konsiderueshëm klandestinësh. Ndërkohë, pas prangosjes, grupi i trafikantëve është çuar dje në Gjykatën e Faktit në Gjirokastër, ku për të tre është vendosur masa e sigurisë "arrest me burg" për veprën penale të dhënies ndihmë për "kalim ilegal të kufirit me qëllim fitimin e kryer në bashkëpunim". Provat ligjore të sekuestruara dhe grumbulluara nga agjentët e policisë kanë çuar në vendosjen e masës së sigurisë me burg për tre trafikantët. Ndërkohë, burime zyrtare nga Gjirokastra bëjnë të ditur se gjatë këtij aksioni, uniformat blu kanë arritur të sekuestrojnë në cilësinë e provës materiale shumën e 300 eurove, dy automjete, konkretisht një "KIA" në pronësi të 33-vjeçares përmetare, me targa të huaja MYH 1244, si dhe automjetin tip "Audi" pronë e Lame Dhandilit me targa GJ9135A, si dhe gjashtë aparate celularë, të cilët përdoreshin nga personat e arrestuar. Materialet, ndërkohë, i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme procedurale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›