E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pafajësi të riut, pas dënimit 7 vjet burg

 

Fatos Mahmutaj

Gjykata e Kurbinit liroi pak ditë më parë në sallën e gjyqit një 22-vjeçar të akuzuar për “kryerje marrëdhëniesh homoseksuale me një të mitur vetëm 13 vjeç”.I pandehuri u shpall fajtor dhe u lirua menjëherë me urdhër të Gjykatës së Kurbinit. Burime nga ky institucion pohojnë se vendimi erdhi pasi kjo gjykatë rishqyrtoi edhe njëherë çështjen në ngarkim të të riut të dyshuar që mbeti në qeli për dy vjet e dy muaj, ndërsa çështja e tij u gjykua në tre procese njëri pas tjetrit. I riu Elton Mallkuçi, u arrestua në korrik të vitit 2006, pas denoncimit të babait të fëmijës, i cili pretendoi se 22-vjeçari kishte dhunuar seksualisht djalin e tij të mitur. Forcat e policisë arrestuan të dyshuarin pas denoncimit të bërë nga babai i të miturit të abuzuar. Pas hetimeve paraprake, Prokuroria e Kurbinit e dërgoi çështjen në gjykatë ku i arrestuari u shpall fajtor dhe u dënua me 7 vjet burg nën akuzën e “kryerjes së marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të mitur”. Vetë i pandehuri dhe mbrojtësi i tij e ankimuan këtë vendim në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit, ku një kolegj penal i Shkallës së Dytë, mori në shqyrtim grumbullimin dhe administrimin e provave të fajësisë dhe gjykimin e tyre në Shkallën e Parë.
Rigjykimi
Pasi shqyrtoi hetimet paraprake dhe gjykimin në Shkallën e Parë, Gjykata e Apelit vendosi prishjen e vendimit të dënimit me 7 vjet burg dhe rikthimin e çështjes në Gjykatën e Kurbinit, ku do të shqyrtohej nga një tjetër trup gjykues. Në bazë të detyrave të lëna nga Gjykata e Apelit e Tiranës, Kolegji Penal i Shkallës së Parë nxori kryesisht urdhrin për mbledhjen dhe administrimin e të gjitha provave të kësaj çështjeje nga e para, të cilat u bënë pjesë e fashikullit për gjykimin e çështjes. E vetmja provë që nuk u rimor nga gjykata ishte akti i ekspertimit të të dëmtuarit, me argumentin se kishte kaluar një kohë e gjatë, rreth dy vjet dhe se ekspertët e kishin të pamundur të përcaktonin saktë atë që kërkohej nga trupi gjykues. Pas përfundimit të procesit të rigjykimit, në fund të tij Prokuroria kërkoi dënimin e 22-vjeçarit të pandehur me 13 vjet burg. Gjykata pasi shqyrtoi provat dhe kërkesat e palëve dha pafajësi dhe e nxori nga qelia duke urdhëruar lirimin e tij në sallën e gjyqit, “pasi nuk provohej kryerja e krimit prej tij”. “Urdhërohet lirimi i menjëhershëm nga qelia i Elton Mallkuçit, nëse për të nuk ka asnjë masë tjetër sigurie apo dënim që ka të bëjë me kryerjen e ndonjë vepre tjetër penale”, mësohet të jetë shprehur trupi gjykues i Kurbinit në vendimin e pafajësisë së 22-vjeçarit.
Ankimimi
Ky vendim mësohet se do të ankimohet nga Prokuroria sërish në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit, ku kërkohet dënimi i të dyshuarit me 13 vjet burg sipas kërkesës së organit të akuzës. Institucioni i hetimit ka paraqitur në gjyq ekspertiza, dëshmitarë me dijeni për ngjarjen dhe oficerët e Policisë Gjyqësore që hetuan çështjen, të cilët kanë akuzuar Elton Mallkuçin për kryerjen e krimit për të cilin ai dyshohej. Nga një llogaritje paraprake, nëse Gjykata e Shkallës së Dytë do lërë në fuqi vendimin për pafajësinë e të riut, fatura e dëmshpërblimit të tij shkon në rreth 23 milionë lekë të vjetra të cilat do të paguhen nga dega e Thesarit të e Ministrisë së Financave. Kjo për faktin se koha e kaluar në qeli nga 22-vjeçari llogaritet si paraburgim, për shkak se ndaj tij nuk pati asnjë dënim të formës së prerë. Ligjet aktuale parashikojnë dëmshpërblimin e një ditë paraburgim nga 20 deri në 30 mijë lekë të vjetra, sipas kushteve të institucionit të paraburgimit.

Dënimi
Elton Mallkuçi, 22-vjeçari nga Kurbini mori një vit më parë një dënim me 7 vjet burg pasi u gjet fajtor për “kryerjen e marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të mitur”, vendim, i cili u prish nga Gjykata e Apelit të kryeqytetit që e ktheu për rigjykim.

Apeli
Gjykata e Shkallës së Dytë e Tiranës vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës Kurbin, pasi në të gjeti shkelje të procedurave përsa i përket administrim dhe shqyrtimit të provave nga trupi gjykues i Shkallës së Parë. Rikthimi i çështjes bëri rimarrjen e provave.

Dëmshpërblimi
Llogaritja paraprake e faturës së dëmshpërblimit të 22-vjeçarit Mallkuçi nëse vendimi i pafajësisë së tij do të lihet në fuqi nga Apeli shkon në rreth 23 milionë lekë të vjetra, për faktin se kjo është kohë paraburgimi dhe kushton deri në 30 mijë lekë të vjetra dita.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›