Thika në gjimnaz, një i plagosur
Disa nxënës janë përfshirë në një sherr banal pas mësimit dhe njëri prej tyre ka mbetur i plagosur. Ngjarja ka ndodhur përballë shkollës së mesme "Ali Demi" në qendër të qytetit të Vlorës, ku midis adoleshentëve, nxënës së kësaj shkolle ka nisur një sherr për çështje vajzash e celularësh. Pasi kanë nisur të shahen me njëri-tjetrin, debati ka degjeneruar në grushte, e pas kësaj njëri prej adoleshentëve ka nxjerrë thikën dhe ka plagosur 20-vjeçarin Elvis Maka, maturant në shkollën e mesme publike "Ali Demi" në Vlorë. Pasi është qëlluar me thikë në anën e djathtë të kraharorit, në mes të brinjëve, 20-vjeçari është çuar me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës, ku edhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë djemtë e përfshirë në sherr janë shpërndarë me shpejtësi. Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorit të kësaj plagosjeje, ndërsa ka marrë në pyetje nxënës të shkollës që ishin dëshmitarë. Ky nuk është rasti i parë kur në ngjarje të tilla përfshihen adoleshentë. Vetëm në muajin tetor kanë ndodhur katër ngjarje me protagonistë të moshave nga 16 në 20 vjeç, të cilët kanë përdorur sipas rasteve thika, sende të forta madje edhe armë zjarri.