Kapet pas pesë vjetësh trafikanti i drogës
Një person i shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike është arrestuar dje në Devoll. Shpëtim Hoxha, 35 vjeç, nga fshati Sul i Devollit, është kapur në pyll nga ana e uniformave blu, ndërsa do të shkonte fshehurazi nga fshati i tij në fshatin fqinj. Sipas të dhënave të policisë, 35-vjeçari i arrestuar pasditen e së enjtes ishte shpallur në kërkim për trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Droga e llojit kanabis sativa, e cila u kap në fshatin Poloskë, vuri në pranga tre persona, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin do të çonin me çanta sportive në drejtim të Greqisë, në vitin 2003. Por, ndërsa autorët e tjerë të këtij trafiku që kryhej në bashkëpunim u kapën nga ana e policisë gjatë një operacioni, Shpëtim Hoxha i shpëtoi prangosjes dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Ai qëndroi i fshehur për pesë vjet, ndërkohë që gjykata e Korçës e ka dënuar në mungesë me 12 vjet heqje lirie. Burime nga policia e Korçës bënë të ditur se të Hoxhës iu bllokua në momentin e arrestimit edhe një pistoletë pa leje, si dhe 39 fishekë.