E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet hajduti i mjetit, në hetim grupi nga Laçi

Tiranë

Një hajdut makinash, i cili mendohet se bën pjesë në një grup kriminal nga Laçi, është kapur ditën e djeshme, rreth 30 minuta pasi kishte vjedhur një “Mercedes Benz”. Vjedhja ka ndodhur te “Stacioni i Trenit” në Tiranë, ndërkohë që Edmond Koçi, 37 vjeç, është kapur nga shërbimet e Komisariatit Nr. 5, pasi kishin marrë informacione operative në lidhje me lëvizjen e këtij personi. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se vjedhja e makinës ka ndodhur paraditen e djeshme dhe pak minuta më vonë i dëmtuari ka bërë denoncim në polici, duke treguar se mjeti i tij ishte ngjyrë vishnje dhe me targa të Tiranës. Shërbimet e Komisariatit Nr. 3, që mbulojnë zonën e Stacionit të Trenit, janë njoftuar për këtë vjedhje dhe menjëherë kanë njoftuar shërbimet e Komisariatit Nr. 5. Duke marrë disa informacione operative, shërbimet e Komisariatit Nr. 5 kanë ngritur një postbllok në Kamzë, ku kanë kapur autorin e vjedhjes, duke drejtuar mjetin, që mendohet se po e dërgonte drejt qytetit të Laçit. Policia tha se ai është arrestuar në flagrancë për vjedhje mjetesh, ndërkohë që hetimet për këtë rast vijojnë, pasi mendohet se ai i përket një grupi për vjedhje mjetesh, me qendër në Laç. Sipas të dhënave, policia ka ushtruar kontroll edhe në banesën e të arrestuarit Edmond Koçi, ku ka gjetur një sërë mjetesh të tjera implikuese për aktivitetin e tij kriminal. Në momentin e ndalimit ai ka tentuar t’i largohet policisë, por kur ka parë rrugën e bllokuar, është dorëzuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›