Zbulohen 40 rrënjë kanabis në Tiranë, identifikohet kultivuesi
Rreth 40 rrënjë kanabis janë zbuluar nga policia e kryeqytetit dhe janë asgjësuar nga uniformat blu. Parcela me kanabis është zbuluar në fshatin Tujan nga oficerët e Komisariatit Nr. 4, të cilët kanë bërë edhe arrestimin e një personi, i cili dyshohet se është kultivuesi. Burimet policore bënë të ditur se zbulimi është bërë dy ditë më parë, ku fillimisht janë gjetur shtatë rrënjë kanabis, pranë një banese. Më pas, gjatë kontrollit janë gjetur mbi 30 të tjera në një parcelë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 4, por edhe oficerë të seksionit të luftës kundër drogës. Në bashkëpunim, ata kanë mundur të identifikojnë një të dyshuar. Sipas të dhënave policore, ai mendohet se është kushëriri i pronarit të banesës, ku u gjetën shtatë rrënjët e para të kanabisit. Ai është shoqëruar në ambientet e policisë dhe pritet të bëhet arrestimi. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se gjetja e bimëve kanabis u bë nga disa informacione operative që kishin mbërritur te Komisariati Nr. 4, që ka nën juridiksion këtë zonë. Siç dihet, me strukturën e re, kultivimi i lëndëve narkotike u ka kaluar në përgjegjësi komisariateve dhe në të shumtën e rasteve hetimet ndiqen prej tyre, por nuk mungojnë edhe procedimet penale të filluara nga shërbimet e Antidrogës. Policia tha se rrënjët e kanabisit në fshatin Tujan u prenë dhe pritet vendimi i prokurorit për asgjësimin e tyre.
#