Vlorë, vret veten se nuk gjeti dot punë
Dështimi i përpjekjeve për gjetjen e një vendi pune në qytetin e Vlorës kanë çuar në gjendje të rëndë psikologjike një 26-vjeçar nga qyteti i Beratit, i cili humbi jetën dje në qytetin bregdetar si pasojë e vetëhelmimit.
Pandeli Lakra mësohet se ndërroi jetë në orët e vona të pasdites së të shtunës në spitalin e qytetit të Vlorës ku dhe u paraqit në gjendje të rëndë për jetën, pas konsumimit të një sasie fostoksine.
Burime të afërta të familjes Lakra, në lagjen “22 Tetori” të qytetit të Beratit bëjnë me dije se rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të shtunës u njoftuan nga qyteti i Vlorës se 26-vjeçari kishte ndërruar jetë në spital. Familjarët dhe të afërm mësohet se kanë udhëtuar menjëherë drejt qytetit të Vlorës ku kanë nisur procedurat për marrjen e trupit të pajetë dhe kanë mësuar më tepër rreth ngjarjes.
Nga deklarimet e të afërmve mësohet se Lakra kishte mbërritur rreth orës 17:00 të ditës së shtunë në spitalin e qytetit bregdetar, pasi kishte pirë disa kokrra fostoksinë në një gjendje të rënduar psikologjike. Me gjithë ndihmën e pamunguar të mjekëve të spitalit bregdetar i riu mësohet se ka ndërruar jetë disa orë pas mbërritjes në spital, si pasojë e helmimit të shkaktuar nga një sasi e konsiderueshme fostoksine.
I riu, i sapomartuar, mësohet se ditët e fundit i kishte kaluar në qytetin e Vlorës te disa shokë të tij me shpresën për gjetjen e një pune, pasi familja e tij prej pesë pjesëtarësh vuante pasojat e papunësisë.
Lakra mësohet se kishte vendosur të kalonte muajt e verës në Vlorë me shpresën se gjatë sezonit turistik do të gjente një vend pune, pasi në qytetin e tij nuk u ishte krijuar mundësia për t’u punësuar. Por, sipas deklarimeve e familjarëve dje në kontaktin e fundit në telefon me ta i riu ishte shprehur se kishte dështuar në përpjekjet e tij për t’u punësuar, çka dyshohet se është bërë dhe shkak që i riu i dha fund jetës.
Ekspertët e policisë së Vlorës që kryen hetimet për këtë ngjarje deklaruan për familjarët shkaqet e plota të vdekjes, ndërkohë që trupi i pajetë është përcjellë për në banesën e fundit pasditen e së dielës në qytetin e tij.
#