Oficerët lënë hetimet, përgatisin dosjet për liberalizimin e vizave
Formularët për liberalizimin e vizave kanë bllokuar hetimet e policisë, pasi një sërë oficerësh janë angazhuar për rregullimin e shifrave të fundit. Ky angazhim urgjent është bërë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në drejtoritë e qarqeve Tiranë dhe Vlorë, për shkak se edhe monitorimet nga grupi i ekspertëve të Komisionit Europian do të bëhen në këto tre institucione. Grupi i ekspertëve pritet të vijë ditën e sotme dhe kontrollet të kryhen nesër. Burimet policore shpjegojnë se prej një jave janë angazhuar në analizat përkatëse, sidomos të krimit të organizuar dhe kufirit. Sipas të dhënave, pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka thirrur në një mbledhje disa nga drejtuesit e policisë, si në qendër, ashtu edhe në qarqet e lartpërmendura, me të cilët ka zhvilluar një mbledhje tejet të gjatë. Objekti i kësaj mbledhjeje ka qenë ndryshimi i shifrave për luftën kundër krimit, të zhvilluar nga policia shqiptare. Pak kohë më parë policia iu përgjigj pyetësorit për liberalizimin e vizave, ku ishte shfaqur interes sidomos për krimin e organizuar dhe policinë kufitare. Por, tashmë, duke qenë se kanë kaluar disa muaj, duhet që ata të nxjerrin shifrat e reja, sipas rritjes së punës që ka pasur policia. Për këtë arsye, si sektorët e krimit të organizuar, ashtu edhe të kufirit janë angazhuar në këto detyra, duke lënë “pezull” një sërë dosjesh, pasi janë të përfshirë në punë shumë oficerë policie. Përgatitja e dokumenteve përkatëse ka mbaruar ditën e djeshme, ndërkohë që sot vijnë ekspertët e Komisionit Europian. Ata fillimisht do të monitorojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku do të priten nga kreu i saj, Hysni Burgaj, dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Më tej, monitorimi do të kalojë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, ku do të shikohen shifrat e sektorit të krimit të organizuar, duke filluar që nga antitrafiku, lufta kundër drogës dhe pastrimi i parave. Ndërsa për aspektin profesional të policisë kufitare, për monitorim është zgjedhur Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë. Sa i përket krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, nga burimet mësohet se shifrat janë dyfish më të larta se vitin e kaluar, ku ky sektor ka pasur një rritje në goditjen e grupeve kriminale. Gjithashtu, edhe mbrojtja e kufirit, sidomos detar, është sofistikuar më shumë edhe me hapjen e qendrës ndërkombëtare të operacioneve detare.
#