E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD, shqyrtohet projektligji për administratën gjyqësore



Tiranë - I mbledhur sot paradite me dyer të mbyllura, Këshilli i Lartë i Drejtësisë rimori në shqyrtim projektligjin për administratën gjyqësore. Në rast se në mbledhjen e parë më datë 1 tetor, KLD-ja kishte ftuar për mendim kryetarët e gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit, në mbledhjen e sotme me dyer të mbyllura ishin ftuar ekspertë të huaj. Mësohet se diskutimet kanë rrahur në tri pika: E para ekspertët e EURALIUS (Misioni Europian i Asistencës për Sistemin e Drejtësisë) në Shqipëri kanë deklaruar se në përgatitjen e projektligjit për administratën gjyqësore nuk është marrë mendimi i tyre. Së dyti, ekspertët e EURALIUS-it, por edhe ekspertë të tjerë të huaj, kanë deklaruar se në Europë funksionimi i administratës gjyqësore nuk i lihet në dorë ministrit të Drejtësisë. Sipas tyre ka dy modele: ose me ligj të posaçëm, ose administrata gjyqësore është pjesë e shërbimit civil. Në Shqipëri, ligji për administratën gjyqësore parashikon vetëm kompetencat e kancelarit të gjykatës, por aspektet e funksionimit të gjykatës ia lë në dorë ministrit. Dhe çështja e tretë e dalë në diskutime është sugjerimi se në Shqipëri funksionimi i administratës gjyqësore të mos rregullohet me një ligj i posaçëm, por të jetë një shtesë e ligjit për funksionimin e Gjyqësorit. Në ligjin e miratuar në fillim të vitit ka dy dispozita në ligjin për funksionimin e Gjyqësorit që e detyrojnë Parlamentin të ndërmarrë një hap të tillë. Pritet që KLD-ja t'ia dorëzojë të hënën me shkrim rekomandimet zyrtare Komisionit Parlamentar të Ligjeve.

4 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›