Të burgosurit e Fushë Krujës në revoltë: “Nuk na dhanë ushqim në mëngjes”
FUSHË KRUJË – Të burgosurit e Fushë Krujës, ku pjesa më e madhe janë njerëz të njohur të botës së krimit, janë hedhur në revoltë me pretendimin se personeli nuk iu ka dhënë ushqim për mëngjes dhe nuk i ka nxjerrë në dhomat e ajrimit. Protesta ka alarmuar të gjithë strukturat e sigurisë, duke detyruar drejtuesit e burgut që të kërkojnë përforcime nga Tirana. Burime zyrtare bëjnë të ditur se protesta nisi në orën 8 të mëngjesit të djeshëm. Është dashur ndërhyrja e forcave speciale dhe RENEA-s që të normalizohet situata. Ata kanë ardhur në ndihmë të efektivave të burgut si dhe komisariatit të Policisë së Krujës dhe rajonit të Fushë Krujës.
Masat
Fillimisht janë marrë masa të forta sigurie në mjediset e jashtme, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në zonën pranë burgut të inauguruar pak muaj më parë. Deri në orën 10 të paradites nuk e ka konfirmuar askush zyrtarisht lajmin se brenda qelive po bëhej protestë. Në momentet e revoltës, ndodheshin në pritje të takimit me të burgosurit me dhjetëra familjarë, të cilët janë shokuar pasi nuk dinin se çfarë po ndodhte. Në orën 12.00 ka nisur edhe futja e familjarëve tek të personat e dënuar për krime të lehta. Ndërsa ata që kanë të dënuarit për krime të rënda nuk janë lejuar që të bëjnë takime apo të fusin ushqime në qeli. Rreth orës 16. 30 të ditës së djeshme është qetësuar situata. Në këtë orë është parë edhe drejtori i burgut Anton Frrokaj, i cili ka dalë në mjediset e jashtme të burgut i shoqëruar nga dy persona të tjerë, të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në Tiranë.
Dëshmitë
Familjarët që kanë takuar të afërmit e tyre në qeli, duke mos dashur që të identifikohen, shprehen “se gjendja ishte me të vërtetë alarmante. Madje, është krejt ndryshe sa e paraqesin autoritetet e burgut”. Sipas tyre, nga dhomat e të burgosurve VIP në mjediset e brendshme dëgjoheshin ulërima menjëherë pas ndërhyrjes së policisë. Burime pranë burgut të Fushë Krujë bëjnë të ditur se historia e protestës nisi në dhomën ku ndodhet Gaxhai. Sipas burimeve të brendshme, Drejtoria e Burgut ka nisur tu privojë të dënuarve disa liri të cilat, sipas tyre, i kanë pasur deri më tani. Atij i janë bashkuar edhe të dënuar të tjerë si Frederik Durda, Gazmend Brraka, Admir Tafili, Elidon Kotorri, etj.. Kjo ka të bëjë me faktorin e shkurtimit të ditës dhe zgjatjes së natës, e cila është pasuar me shkurtimin e kohës së qëndrimit në dhomat e ajrimit për të dënuarit. Që nga dita e djeshme të burgosurve u është ndërprerë lëvizja nga një dhomë në tjetër. Ky ka qenë madje edhe shkaku u revoltës. Ndërkohë që burime nga administrata e burgut flasin se vetëm 25 të burgosur që vuajnë dënimin në burgun e Sigurisë së Lartë në Fushë Krujës janë ngritur në revoltë që kanë të bëjnë me ajrimin dhe servirjen e ushqimit. Të afërm të personave të dënuar pohojnë se në protestë nuk janë 25 persona por 240 të tillë. Familjarët e të burgosurve shprehen se të afërmit e tyre nëpërmjet telefonit kanë treguar se shkak i revoltës është se “nuk iu është dhënë vakti i mëngjesit dhe nuk janë lejuar të dalin në ajrim. Revolta të tilla kanë ndodhur edhe në burgjet e Peqinit, të Durrësit dhe Burrelit.
REAGIMI
Drejtoria e Burgjeve: Dyert e qelive të hapura vetëm gjatë verës
TIRANË – Dyert e qelive janë urdhëruar që të mbahen të hapura vetëm gjatë verës për shkak të temperaturave por me uljen e tyre është urdhëruar mbyllja e tyre, gjë që ka sjellë revoltën e të dënuarve në burgun e Fushë Krujës. Ky është shpjegimi zyrtar për motivet që nxitën të burgosurit që të rebeloheshin. “Ndryshimi i urdhrit ka sjellë pakënaqësi për disa të dënuar të cilët kanë reaguar duke refuzuar ushqimin e mëngjesit”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Sipas tij, menjëherë për në Fushë-Krujë u nisën zyrtarë të lartë të burgjeve, ku pas bisedave me të dënuarit dhe duke sqaruar arsyet e anulimit të urdhrit, gjendja u kthye në normalitet.
TË BURGOSURIT VIP-a në FUSHË KRUJË
Gaxhai, me burim të përjetshëm
Admir Tafili, 25 vite burg
Genc Tafili, 25 vite burg
Frederik Durda, 16 vite burg
Pashk Lleshi, burgim i përjetshëm
Elidon Kotorri, burgim i përjetshëm
Vladimir Tufa, burgim i përjetshëm
Eduart Ymeri, burgim i përjetshëm
4 Tetor 2008