E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata jep 11 vite burg për të arrestuarit e “Kredisë së keqe”



Tiranë - Gjykata e Tiranës jep vendimin për të arrestuarit gjatë operacionit “Kredia e keqe”. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se gjyqtari i çështjes, Bujar Krasniqi, ka gjykuar që të lërë në fuqi të njëjtën masë dënimi që kërkoi prokurori një seancë më parë. Në seancën e djeshme u dënuan me 11 vjet e 6 muaj burg për të pandehurit. Më konkretisht, 6 muaj burg për Arben Beqirin, 18 muaj burg për Astrit Gracenin, 18 vjet burg për Blendi Sharrën, 18 muaj burg për Luan Gjikën, 18 muaj burg për Mahmut Barziun, 18 muaj burg për Selman Miçin. Të pandehurit akuzohen për mashtrim me kreditë dhe korrupsion pasiv të kryer në sektorin privat. Tetë të pandehurit e operacionit “Kredia e keqe”, do të procedohen me gjykim të shkurtuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Disa seanca më parë, gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes së të pandehurve, kërkesë që ka të bëjë me procedimin e tyre me gjykim të shkurtuar. Këta persona u arrestuan në janar të këtij viti, gjatë operacionit policor “Kredia e keqe”, me akuzat: “mashtrim më shumë së një herë” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Sipas të dhënave hetimore, personat e sipërpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet, se kanë kryer veprime të kundërligjshme për pajisjen e individëve të ndryshëm në disa qytete të vendit me kredi bankare, pranë një banke të nivelit të dytë, në shuma të konsiderueshme.

4 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›