E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet i dënuari për dy vrasje, maskohej si tregtar frutash



TIRANË – Një person i shumëkërkuar, i dënuar nga Drejtësia për dy vrasje të ndodhura në Elbasan në vitin 2001, maskohej duke u prezantuar si tregtar frutash, por më në fund ai ka përfunduar në prangat e forcave të rendit. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bëjnë të ditur se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan, mundësuan kapjen e shtetasit në kërkim Osman Sali Krasniqi, 50 vjeç, lindur e banues në Elbasan. Ai ishte dënuar me 25 vjet burgim për veprën penale të “vrasjes me dashje”. Për arrestimin e 50-vjeçarit Krasniqi u organizua operacioni policor të koduar me emrin “Farka”, i cili u finalizua me sukses me kapjen e tij, në kthesën e Sanatoriumit, në Sauk Tiranë. Në momentin e ndalimit ai po udhëtonte me një automjet tip “Audi” dhe u është prezantuar punonjësve të policisë me emër të rremë dhe si një shitës ambulant të fruta-perimeve. Pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në automjetin e tij tip “Audi”, u gjendën dhe sekuestruan një sasi frutash (hurma), të cilat dyshohet se i përdorte për të fshehur identitetin e tij si shitës ambulant.
Ky shtetas është person në kërkim i dënuar me 25 vjet burg me vendim të Gjykatës së Apelit Durrës, për veprën penale të “vrasjes” së dy shtetasve, ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Elbasanit. “Shtetasi iu dorëzua për veprime të mëtejshme Drejtorisë së Policisë Qarku Elbasan, për dërgim në vendin e vuajtjes së dënimit”, - përfundojnë burimet policore.

Shpërthimi i bolierit të dushit plagos dy turistët kosovarë në Golem

Panik në mjediset e hotelit në Golem. Ndodheshin brenda 50 nxënës nga Gjilani
Ndalohet pronari i hotelit. Hetimet u ndoqën nga ekspertët antikrim të Tiranës

GOLEM - Aventurat e nxënësve që vijnë nga Kosova për turizëm në bregdetin shqiptar nuk kanë të mbaruar. Kësaj radhe pesë të rinj nga Gjilani janë plagosur si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur në një hotel në zonën e Golemit. Burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit bëjnë të ditur se shpërthimi i një bolieri të dushit brenda në hotel ka qenë shkak i plagosjes së dy prej 50 nxënësve kosovarë që po flinin në hotelin “Elesio”. Sipas tyre, “në vendin e quajtur Pika e Butit, në Golem të Kavajës, rreth orës 07:40 është dëgjuar një shpërthim, ku për pasojë janë shembur muret e brendshme të katit të II të këtij hoteli, në të cilat po flinin nxënës të ardhur nga Kosova për ekskursion në Shqipëri”. Dy të lënduarit janë; Shkurte Matoshi, 18 vjeçe dhe Sabah Fetahu, 19 vjeç, që të dy nga Gjilani i Kosovës. Pas ndihmës së marrë në Spitalin Rajonal të Durrësit, ata i janë bashkuar grupit të nxënësve nga Kosova, të cilët janë strehuar në një hotel tjetër, ngjitur vendit ku ndodhi shpërthimi.
Shpërthimi
Rreth 50 gjimnazistë nga Gjilani i Kosovës kanë ardhur për të shijuar ditët e fundit të sezonit pranë bregdetit shqiptar. Ata janë akomoduar pranë hotel “Elesio”, në zonën e Golemit. Por, mëngjesi i sotëm ka qenë i frikshëm për ta. Bolieri i dushit të njërës prej dhomave të katit të dytë ka shpërthyer, gjë që ka sjellë shkatërrimin e një pjese të katit. Në dhomën ku ndodhi plasja janë lënduar dy prej të rinjve nga Kosova. “Fatmirësisht nuk janë shënuar viktima”, - thotë njëra nga dëshmitaret, e cila ndihej e frikësuar. Burimet policore të qarkut të Tiranës thotë se janë dëmtuar lehtësisht vetëm dy prej pushuesve dhe janë shtruar menjëherë në Spitalin e Durrësit. Nxënësit e tjerë, janë akomoduar në një tjetër hotel, pranë hotel “Elesio”.
Hetimet
“Në vend ka mbërritur grupi hetimor në drejtimin e prokurorit të Rrethit Kavajë, ekspertë kriminalistë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ekspertë anti-eksploziv të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, - thonë burimet policore. Sipas zëdhënëses Alma Katragjini, grupi hetimor në vendngjarje “mendon që shkak i shpërthimit në dhomat e brendshme të hotelit është shpërthimi i një bolieri në një nga tualetet e katit të dytë të hotelit. Në Komisariatin e Policisë Kavajë është shoqëruar i gjithë stafi i këtij hoteli, të cilët po u merren deklarime mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje.
“Konkluzionet përfundimtare do të nxirren pas kryerjes së ekspertimeve të tjera dhe do t’iu informojmë në vijimësi”, - përfundojnë burimet policore. Edhe më parë kanë ndodhur incidente me pushues nga Kosova. Një autobus plot me pushues nga Kosova u rrëzua pranë Fushë-Arrëzit disa vite më parë, duke shkaktuar vdekjen e 18 të rinjve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Po ashtu, tre vjet më parë u helmuan më shumë se 70 nxënës të tjerë kosovarë si pasojë e servirjes së ushqimeve jashtë standardeve në një hotel në Durrës.

EMRAT E TË PLAGOSURVE
Shkurte Matoshi, 18 vjeçe
Sabah Fetahu, 19 vjeç

Korrupsioni, prangosen tre nga katër policët e Qarkullimit në Tepelenë

TEPELENË – Për një periudhë të gjatë kohe, katër efektivë të Qarkullimit në Komisariatin e Tepelenës janë mbajtur nën vëzhgim për mënyrën sesi ata iu merrnin ryshfete drejtuesve të automjeteve dhe më pas tre prej tyre kanë rënë në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi disa efektiva për veprën penale të ‘korrupsionit pasiv në bashkëpunim’”. Sipas tyre, SHKB-ja e Qarkut të Gjirokastrës ka grumbulluar prova ligjore, të cilat vënë përballë akuzës shtetasit: Mustafa Shehu, Erion Zylfaj, Fatos Hysi dhe Adrian Muhameti.
“Gjykata e rrethit Gjyqësor ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për katër punonjës policie të qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë Tepelenë, - thotë zëdhënësi i Policisë së Qarkut, Gentian Mullai. Dje në mesditë, rreth orës 14:30, është bërë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjirokastër. “Në momentin e ekzekutimit të këtij urdhri punonjësi i Policisë, Mustafa Shehu, nuk është gjetur në banesë, ndërsa tre punonjësit e tjerë, Erion Zylfaj, Fatos Hysi dhe Adrian Muhameti, janë ndaluar dhe janë shoqëruar në dhomat e paraburigimit”, - thotë Mullai. Sipas tij, për shtetasin Mustafa Shehu është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.

Falsifikimi i tokave në Himarë çon në pranga Anastas Gjokën

VLORË - Policia ndaloi dje një 41-vjeçar nga Himara, i cili dyshohet të ketë falsifikuar dokumentet e pronësisë së një sipërfaqeje toke në bregdet, me synim për ta përfituar atë. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, Saimir Koçiaj, bëri të ditur se Anastas Gjoka u ndalua gjatë një aksioni në banesën e tij, në lagjen “Isa Boletini” në qytetin e Vlorës, në orët e vona të ditës së martë. Sipas Koçiajt, “prangosja e Gjokës u bë për arsye se ai ka falsifikuar një dokument nga Arkiva e Shtetit për një sipërfaqe toke kullotë prej 36 hektarësh, që ndodhet në zonën bregdetare në afërsi të fshatit Vuno, në bashkinë e Himarës”. Ndalimi i tij është pjesë e operacionit që ka ndërmarrë policia e Vlorës, të koduar me emrin “Fillimi i vjeshtës”, që nisi pak ditë më parë, me ndalimin e tre personave, mes të cilëve drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive për Vlorën.

8 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›