Viti i ri akademik, përcaktohet ngarkesa mësimore për pedagogët në universitete
Jonida Tashi
Pedagogëve edhe gjatë vitit të ri akademik 2009-2010, do t’u zihet “fryma” nga ngarkesa mësimore në auditorë. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka vendosur të lërë në fuqi udhëzimin e vjetshëm “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”, i cili është kundërshtuar disa herë nga mjaft zëra të njohur të universiteteve. Madje jo vetëm kaq, por, kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i kërkoi vazhdimisht ish-ministrit të Arsimit, Fatos Beja, që ta rishikonte këtë udhëzim, megjithëse mbante firmën e paraardhësit të tij, Genc Pollo.
Udhëzimi
Zbardhet udhëzimi Nr.20, datë 09.05.2008 “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”, në të cilin është detajuar mësimdhënia e normuar vjetore për trupën pedagogjike në arsimin e lartë. Udhëzimi përcakton se sa orë mësimore duhet të kryejnë pedagogët për një vit në fakultet sipas titujve që ata kanë. Gjithashtu, udhëzimi detajon edhe shifrat se si do të vlerësohet puna e tyre me studentët në orë mësimore. Këto të fundit, edhe gjatë vitit akademik 2009-2010 do të jenë 60 minuta. Mësimdhënia e normuar vjetore, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, do të organizohet me jo më pak se 6 orë mësim në auditor për çdo javë mësimore të vitit akademik. Mund të përjashtohen nga ky rregull deri 5 për qind e personelit akademik të fakulteteve, sipas rregullave të përcaktuara në rregulloren e organizimit të tij. Këto përjashtime do të vlerësohen rast pas rasti dhe miratohen në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit, mbi bazë të propozimeve të departamenteve. Nga rregulli do të përjashtohet personeli akademik i instituteve dhe qendrave të kërkimit e zhvillimit.
Orët
Mësimdhënia e pedagogëve, që përfshin edhe mësimdhënien e normuar vjetore dhe veprimtaritë për përgatitjen e mbështetjen e procesit të mësimdhënies, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, do të vlerësohet gjithsej 750–1050 orë mësimore, që i korrespondon 50-70 për qind e të gjithë fondit të kohës vjetore të punës. Çdo anëtar i personelit akademik me kohë të plotë në universitetet publike duhet të përmbushë detyrimet për kohën vjetore të punës me 192 ditë pune (1536 orë), përcaktuar kjo kohë sipas kërkesave në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, si dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Për veprimtaritë e personelit akademik me kohë të plotë në universitetet publike mund të bëhen planifikime vjetore në përqindje të ndryshme nga ato të treguara në këtë udhëzim, në mënyrë të argumentuar dhe duke respektuar plotësimin e detyrimit për kohën vjetore të punës dhe mësimdhënien e normuar vjetore. Organizimi i kohës vjetore të punës dhe programimi i saj në veprimtaritë e ndryshme përbërëse, për çdo anëtar të personelit akademik, formalizohet nëpërmjet një marrëveshjeje vjetore ndërmjet përgjegjësit të njësisë bazë dhe anëtarit të personelit akademik. Personeli akademik me kohë të plotë në universitetet publike mund të tejkalojë normën vjetore për mësimdhënie deri në masën 30%, pasi të ketë plotësuar të gjitha detyrimet e kohës vjetore të punës. Por tejkalimi i paguar mbi 30% i mësimdhënies së normuar vjetore mund të bëhet vetëm për nevoja të institucionit dhe me miratim nga ministri i Arsimit. Për personelin akademik të ftuar në njësitë kryesore të universiteteve publike mësimdhënia e normuar vjetore duhet të jetë deri në 150 orë mësimore në vit, apo 150 orë punë vjetore për veprimtari të kërkimit apo krijuese.
Pagat
Pagat e pedagogëve dhe gjatë vitit akademik 2009-2010 janë përcaktuar në varësi të titullit që ata kanë si dhe orëve të mësimit që do të japin. Sipas vendimit të marrë nga qeveria, pagat e pedagogëve do të variojnë nga 61 mijë lekë, deri në 12 500 lekë. Ndërsa shtesa për vjetërsinë e punës është parashikuar të jetë 0.5 për qind për çdo vit akademik, por jo më shumë se për 15 vjet. Për orët mbi normën mësimore të miratuar nga aktet përkatëse, pedagogët do të paguhen sipas gradave. Kështu, profesorët do të përfitojnë 1200 lekë për çdo orë 60-minutëshe. Personeli akademik që mban gradën “Profesor i asociuar” do të marrë 1100 lekë, ndërsa “Docentët” 1000 lekë. Pagesë më të ulët për orët shtesë do të përfitojnë “Lektorët”, të cilët për çdo orë shtesë do paguhen 600 lekë kurse “Lektorët e asociuar”, 800 lekë. Si orë shtesë në universitete, pedagogëve do t’u njihet edhe pjesëmarrja e tyre në mbledhjet e organeve drejtuese të universiteteve. Kështu, anëtarët e stafit akademik, që do të marrin pjesë në këto mbledhje do të shpërblehen me 8000 lekë në muaj nga shteti. Në rastet kur një anëtar i personelit akademik, për nevoja të procesit mësimor, punësohet në një vend pune me kërkesa më të ulëta se kualifikimi i tij vetjak, do të përfitojë pagën sipas vendit të punës. Veç saj do të marrë edhe një shpërblim prej 50 për qind të diferencës së pagës që do merrte në përputhje me kualifikimin.
Mësimdhënia e normuar vjetore sipas titujve
Mësimdhënia e normuar vjetore, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, e shprehur në orë mësimore, është, përkatësisht:
Për personelin akademik
Kategoria “Profesorë”:
me titullin akademik “Profesor” 200 orë mësimore
me titullin akademik “Profesor i asociuar” 220 orë mësimore
Kategoria “Docentë”:
me titullin akademik “Docent” 300 orë mësimore
me gradën shkencore “Doktor” 260 orë mësimore
Kategoria “Lektorë” 260 orë mësimore
Për autoritetet drejtuese të universiteteve publike:
Rektor/drejtor Qendre Ndëruniversitare 50/50 orë mësimore
Kryetar i Këshillit të Administrimit 120 orë mësimore
Zëvendësrektor/zëvendësdrejtor Qendre
Ndëruniversitare 70/50 orë mësimore
Dekan/drejtor Instituti 70/50 orë mësimore
Zëvendësdekan/zëvendësdrejtor Instituti 150/60 orë mësimore
Përgjegjës Departamenti/Qendre Kërkimi
e Zhvillimi 170/60 orë mësimore
Për personelin akademik me kohë të plotë në institut dhe qendër të kërkimit e zhvillimit, mësimdhënia e normuar vjetore do të jetë 20-30% e orëve mësimore.
Për nevoja të veçanta të kërkimit, për këtë personel akademik mund të planifikohet mësimdhënie e normuar vjetore më e pakët.
Konvertimi në orë mësimore
Elementët e mësimdhënies së normuar vjetore, konvertohen në orë mësimore si më poshtë:
1 orë leksion 1.5 orë mësimore
1 orë ushtrime/seminare 1.0 orë mësimore
1 orë laborator 0.8 orë mësimore
1 orë praktikë mësimore / profesionale 0.5 orë mësimore
1 orë mësim shoqërimi në Akademinë e Arteve 0.5 orë mësimore
Vlerësimi në orë për veprimtaritë mbështetëse
Disa nga elementet e veprimtarive për përgatitjen dhe mbështetjen e procesit mësimor dhe veprimtarive për kërkim, njehsohen në orë mësimore si vijon:
Provime/mbrojtje teze diplome 0.4/0.5 orë mësimore/student;
Udhëheqje teze diplome cikli I/II 15/30 orë mësimore/diplomë;
Udhëheqje teze diplome master niveli I/II 15/30 orë mësimore/diplomë;
Udhëheqje teze doktorate 90 orë mësimore/vit;
Udhëheqje e projekteve të lëndëve 2 orë mësimore/projekt;
Udhëheqje e detyrave të lëndëve 0.5 orë mësimore/detyre;
Përgatitje shfaqjeje, ekspozite, gare 10-30 orë mësimore/shfaqje;
Kontrolle të pjesshme të programuara të dijeve 0.3 orë mësimore/student;
Recensë teze diplome cikli I/II 5/10 orë mësimore/recensë;
Recensë teze diplome master niveli I/II 5/10 orë mësimore/recensë;
Oponencë teze doktorate 20 orë mësimore/oponencë
Konsultime të programuara deri 20% e orëve në auditor për leksione, ushtrime e seminare.
Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e personelit akademik, për vitin 2009-2010
Pozicioni Paga
Rektor 12 5000
Zëvendësrektor, kategoria “Profesorë“ 12 0000
Zëvendësrektor, kategoria “Docent” 11 8000
Dekan, kategoria “Profesorë” 12 0000
Dekan, kategoria “Docent” 11 8000
Zëvendësdekan, kategoria “Profesorë” 10 7000
Zëvendësdekan, kategoria “Docent” 95 000
Përgjegjës i njësisë bazë, kategoria “Profesor” 10 7000
Përgjegjës i njësisë bazë, kategoria “Profesor” 95 000
Profesor 10 3500
Profesor i Asociuar 90 000
Docent 80 000
Lektor i parë/Kërkues i parë 77 000
Lektor/Kërkues 61 000
Pagesa për orët mbi normë
Profesorët 1200
Profesor i asociuar 1100
Docentë 1000
Lektorët 600
Lektor i asociuar 800
8 Tetor 2009