E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikatat në protestë për pronat, kërkohet komision hetimor parlamentar



TIRANË – Pas dështimit të përpjekjes për të bllokuar draftin “Pronat e sindikatave” në qeveri, anëtarët e Konfederatës pritet të bëjnë lëvizjen e radhës për ta ndaluar miratimin e tij në Kuvend. Me dhjetëra anëtarë të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë do të protestojnë sot në orën 14:00 para godinës së Kuvendit, duke kërkuar nga deputetët që të mos miratohet projektligji i përgatitur nga qeveria “Berisha”. Madje ata kanë propozuar që të ngrihet një komision hetimor parlamentar për të verifikuar mënyrën e administrimit të të gjitha pronave që janë nën administrimin e të gjitha sindikatave.
Tri ditë më parë, Konfederata paralajmëroi zhvillimin e protestës, duke i bërë apel kryeparlamentares Topalli, por edhe Presidentit të Republikës, që nisma më e fundit e ekzekutimit të mos i kalojë procedurat për t’u bërë e ligjshme. Burime pranë Sindikatës bëjnë të ditur se ata kanë bërë takime me përfaqësues të Komisionit Europian në Tiranë, apo edhe organizatat e tjera, ku kanë kërkuar që të ushtrojnë presion mbi qeverinë që të mos miratohet ligji “Për pronat e sindikatave”.
Protestat
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë pritet të dalë sot në protestë para Kuvendit të Shqipërisë, për t’u kërkuar anëtarëve të Parlamentit që të mos e miratojnë nismën e fundit të qeverisë “Berisha” për të “shtetëzuar” pronat e sindikatave. Drejtuesit e të gjitha degëve të Konfederatës do të jenë në shesh për të protestuar në lidhje me projektligjin që pritet të votohet nga deputetët e maxhorancës. Sipas KSSH-së, protesta bëhet për të denoncuar publikisht projektligjin, i cili synon përvetësimin nga segmente të caktuara të Ekzekutivit të disa pronave në zonat bregdetare, të cilat janë nën administrimin e strukturave të Konfederatës. Ata pohojnë se nuk kanë marrë asnjë premtim për rishikimin e draftit, apo qoftë edhe një konsultim paraprak nga hartuesit e projektligjit. Burime për gazetën pohojnë se KSSH është e gatshme që të shtrojë për diskutim idenë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili të ketë për synim verifikimin e të gjitha pronave, mënyrën e përdorimit dhe administrimit të tyre.
Deklarata
Tri ditë më parë Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë u ka drejtuar një letër të hapur të gjithë krerëve të institucioneve dhe Trupit Diplomatik në vendin tonë, ku i kërkohet Kuvendit dhe Presidentit që të mos e miratojnë dhe dekretojnë këtë draft, pasi ai “legalizoni oreksin e qeverisë për grabitjen e pronave të sindikatave”. “Këshilli Drejtues i KSSH-së, njëzëri, e konsideron këtë veprim të qeverisë për shtetëzimin e pronave të sindikatave, një akt antiligjor, antidemokratik dhe grabitje të këtyre pronave. Sindikatat, në bazë të Ligjit 8340/1, datë 6/5/1998, janë pronarë të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të ish-Bashkimeve Profesionale”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Sipas tyre, “Këshilli Drejtues i KSSH-së, si pronar legjitim dhe statutor i kësaj pasurie, i ka administruar dhe përdorur këto vlera në bazë të standardeve dhe kritereve ligjore”.
“Tentativa për t’i zhveshur sindikatat nga pronat e tyre të ligjshme është një akt pa precedent, që nuk ka ndodhur në asnjë vend të rajonit tonë e më gjerë dhe që synon drejtpërdrejt goditjen, dobësimin dhe paralizimin e lëvizjes sindikale në Shqipëri”, - thuhet në deklaratën zyrtare të bërë para mediave.
Ata akuzojnë qeverinë “Berisha” se në thelb është kundër dialogut dhe partneritetit social dhe nga pozita force shpërfill standardet europiane të funksionimit të një sistemi demokratik”.
Disa javë më parë qeveria bëri të ditur nismën e re ligjore për “shtetëzimin” e të gjitha pronave të sindikatave. Sipas burimeve jozyrtare të KSSH-së, në shënjestër të lëvizjeve të Ekzekutivit janë disa prona në zonat bregdetare, të cilat duan që t’i përvetësojnë disa segmente në pushtet.

Kampet e pushimit:

BSPSH
1. Kampi i Sarandës
2. Kampi i Durrësit
3. Kampi Dhërmi
4. Kampi i Dajtit (godina e madhe e kampit të pionierëve me 300 vende dhe vila me 25 vende, që janë në dispozicion të shoqërisë së përbashkët "Dajtel", si dhe trualli e territorit prej tetë hektarësh që i bashkëngjiten) dhe zyra e prenotimeve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
5. Kampi i Voskopojës
6. Kampi i Divjakës
7. Kampi i Golemit
8. Kampi i Shirokës
9. Kampi i Pionierëve Durrës
10. Kampi i Qafë Shtamës
11. Kampi i Razmës
12. Kampi i Çajupit (komplet)
13. Kampi i Pogradecit

Konfederata
1. Kampi i Durrësit
2. Kampi i Dhërmiut
3. Kampi i Shëngjinit
4. Kampi i Shirokës
5. Kampi i Korçës
6. Kampi i Pogradecit
7. Kampi i punëtorëve Dajt
8. Kampi i Gjinarit
9. Kampi i Pionierëve Durrës

Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Naftës
1. Kampi i Pionierëve Vlorë
Sindikata e Bashkuar e Minatorëve, Gjeologëve dhe Pasuruesve të Shqipërisë
1. Kampi i Punëtorëve Pogradec
2. Kampi i Pionierëve Durrës, pa objektet dhe territorin që i mbeten në pronësi BSPSH-së dhe KSSH-së
3. 2000 (dy mijë) metra katrorë në territorin e Kampit të Himarës

Objektet e Kulturës për qytetin e Tiranës
BSPSH
1. Shtypshkronja "Sindikata" (ish-Poligrafia "11 Shkurti").
2. Pallati i Kulturës Kamzë
3. Pallati i Kulturës në kombinatin "Josif Pashko" me 150 vende
4. Ofiçina e ish-BSPSH (50%, sipas skicës bashkëngjitur).

KSSH
1. Pallati i Kulturës "Tekstilisti"
2. Pallati i Kulturës Marikaj
3. Ofiçina e ish-BSPSH-së (50% sipas skicës)

SP e Punonjësve të Naftës
1. Shtëpia e Kulturës Valias
2. Shtëpia e Kulturës Mushqeta
3. Shtëpia e Kulturës Kërrabë
4. Pallati i Kulturës "Ali Kelmendi" ndahet midis BSPSH-së dhe KSSH-së

Sindikatat falimentojnë nga shtetëzimi i pronave

Në bazë të projektligjit që pritet të kalojë sot në Kuvend, shteti bëhet pronar i qindra objekteve, kryesisht ish-shtëpitë e pushimit që tashmë janë bërë hotele, në të cilat investitorët kanë kryer miliona lekë investime. Në bazë të projektligjit të ri, investitorët duhet të kompensohen nga sindikatat. Në shumë raste, çështjet pritet të shkojnë në gjykatë. Siç dihet, sindikatat nuk kanë para dhe investitorëve mund t'u shkojnë dëm miliona lekë investime, pasi tashmë të gjitha objektet janë pronë e shtetit.
Hartuesit e këtij projektligji i janë referuar një ligji të miratuar në vitin 1998 për të njëjtën çështje, sipas të cilit, pas marrjes së pronave në administrim, sindikatat nuk kanë të drejtë që të bëjnë tjetërsim të tyre deri në vitin 2020. Nëse të ardhurat që lëvrohen nga marrëdhënia sindikatë-investitor kalojnë në favor të shtetit, situata ndryshon në qoftë se vetë sindikata është debitore kundrejt një investitori. Në këtë rast shteti nuk njeh asnjë përgjegjësi për shkak se, sipas relacionit shpjegues të projektligjit, sindikatat nuk kanë qenë pronare të ligjshme të këtyre pronave.
Nga të dhënat e ofruara nga Hipoteka, një pjesë e mirë e pasurisë së sindikatave është shitur, një pjesë është lëshuar me qira, ndërsa ka edhe prona të tjera mbi të cilat nuk është kryer asnjë veprim, duke i lënë në gjendjen e fillimviteve ‘90. Kryeministri Berisha deklaroi kohë më parë se shteti është ai që do të investojë mbi to, ndërsa më pas do t'ua shesë aksionet investitorëve të interesuar.
Krahas pronave që janë në administrimin e investitorëve, një pjesë tjetër e tyre që deri në miratimin e këtij projektligji ishin në administrimin e sindikatave, do të vihen në dispozicion të fondit për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Për identifikimin e tyre është ngarkuar Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike. Ky proces duhet të përfundojë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij projektligji, ndërsa për të gjithë procesin do të raportojë para Këshillit të Ministrave.

8 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›