E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Vasili: “Qendër më vete për të sëmurët mendor që kryejnë krime”



Emanuela Sako

Të sëmurët mendorë që kanë kryer krime do të trajtohen në një qendër më vete. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, deklaroi se të sëmurët mendor që kanë kryer krime do të trajtohen në ambiente të veçanta nga të tjerët. Ministri Vasili vendosi t’i japë fund një problemi të vjetër mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Drejtësisë, pasi në shumë raste të tilla kur autorët e krimeve janë cilësuar fajtorë, organet e drejtësisë e kanë pasur të vështirë të përcaktojnë vendin e dënimit për vuajtjen e dënimit. Por, deri më tani ata janë trajtuar me të njëjtat kushte si të sëmurët e tjerë me probleme mendore, ose në Spitalin e Burgut. Shpeshherë të sëmurët mendorë kanë kryer edhe krime për të cilat nuk janë dënuar për shkak të shëndetit të tyre, por kjo situatë nuk do të përsëritet më, pasi të gjithë këta persona do të trajtohen në një godinë të veçantë. “Të gjithë ata të sëmurë mendorë, të cilët janë përcaktuar si të tillë dhe duhen trajtuar si të tillë ne do ta procedojmë më tutje dhe me strukturat përkatëse. Është një spital që është në proces të rikonstruktimit të tij ku këta të sëmurë do të trajtohen si të tillë dhe jo thjesht si të dënuar. Në sensin që ai që gjendet si i sëmurë mendor jo më si i dënuar do të trajtohet në spitalet përkatëse”,- shprehet Ministri Vasili.
Situata
Përveç zgjidhjes së problemit të trajtimit të personave me probleme mendore që kryejnë krime, situata shfaqet alarmante tek rritja e numrit të personave që vuajnë nga sëmundje mendore. Kështu, 1 në 4 persona në të gjithë botën rrezikon të preket nga sëmundje të shëndetit mendor dhe faktori kryesor mbetet stresi. Kjo shifër alarmante bëhet e ditur nga OBSH-ja për Shqipërinë, gjatë Konferencës Kombëtare të Shëndetit Mendor. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vënë në dijeni se sëmundshmëria e popullatës do të rritet, ndaj duhen shtuar shërbimet e specializuara. Duke u nisur nga probabiliteti i lartë i personave për t’u prekur nga sëmundje të shëndetit mendor përfaqësues të shëndetit mendor rekomandojnë më shumë shërbime se ç’ka aktualisht për trajtimin e të sëmurëve.
Sëmundshmëria
Përsa i përket sëmundshmërisë, depresioni dhe skizofrenia janë më të përhapurat. Për trajtimin e tyre ISKSH ka shtuar në listën e barnave të rimbursura për 2009-ën, 10 medikamente të reja. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana në fjalën e saj e vuri theksin tek rritja e ndjeshme e rasteve të të sëmurëve mendore dhe kryesisht të 3 diagnozave: psikoza skizofrenike, gjendja depresive, psikoza aktive. Ajo theksoi gjithashtu edhe rëndësinë që ISKSH-ja po i jep përmirësimit të trajtimit të këtyre të sëmurëve përmes shtimit të medikamenteve në listën e rimbursimit, por edhe përmes lehtësimit të marrjes së mjekimeve nga ana e këtyre të sëmurëve, duke futur në listë formë-doza të përshtatshme. “Nga 30 kode diagnozash të listuara për këtë sëmundje, rreth 82 % të sëmundshmërisë e zënë vetëm 3 diagnoza, psikoza skizofrenike, gjendja depresive, psikoza aktive. Në listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2009, gjithsej 68 barna të rimbursueshme me një peshë specifike në listën e rimbursimit 12.2% ndaj totalit të shpenzimeve të rimbursimit. Vetëm në vitin 2009 janë shtuar 10 barna të reja apo 3 principe aktive të reja në listën e rimbursimit për sëmundjet mendore”,- theksoi Hana.

8 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›