E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Gërdeci”, të pandehurit drejt pendimit për tragjedinë



Laureta Rryçi

Të pandehurit e dosjes së “Gërdecit” po shkojnë drejt pendimit.
Kjo u la të nënkuptohej dje nga avokatët jo vetëm e të arrestuarve për këtë tragjedi por, edhe nga mbrojtësit ligjorë të ushtarakëve. Kërkesa e befasishme duket sikur do të ndryshojë rrjedhën e procesit që ka vetëm dy seanca që është futur në rrugën e normalitetit. Avokati Maksim Haxhia që mbron të drejtat e të pandehurit Mihal Delijorgji i kërkoi trupit gjykues shtyrjen e seancës pasi klienti i tij po shqyrton mundësinë e gjykimit të shkurtuar. E njëjta kërkesë u përsërit nga avokati i Dritan Minxhollit apo edhe nga mbrojtësit ligjorë të disa ushtarakëve që janë vënë në akuzë fill pas tragjedisë së Gërdecit.
Pendimi
Pavarësish kërkesësh së avokatit Maksim Haxhia, gjykata refuzoi të ishte kjo arsyeja për shtyrjen e seancash së radhës. Mirëpo “pendesa” e Delijorgjit apo të ndonjë të pandehuri tjetër do të ndryshojë edhe rrjedhën e procesit si dhe verdiktin përfundimtar të Gjykatës për secilin që do të pranohet gjykimi i shkurtuar. Juridikisht nëse Delijorgji pranon gjykimin e shkurtuar do të thotë se ai pranon akuzat e vrasjes masive dhe shkatërrim prone, për të cilat ndodhet i arrestuar që prej ditës së shpërthimit të ndodhur në Gërdec, 15 mars 2008 dhe përfiton 1/3 e uljes së dënimit. Çka do të thotë se ai mund ti shpëtojë dënimit me burg përjetë. Një tjetër kërkesë u paraqit dhe nga avokati Vladimir Meçe që mbron interesat e të pandehurit Shpëtim Spahiu. Meçe kërkoi që gjykata të shpallë të pavlefshme kërkesën për gjykim pasi është dorëzuar jashtë afateve ligjore. Gjykata do të shpallë më 12 tetor vendimin për disa nga kërkesat e avokatëve mbrojtës të të pandehurve në gjyqin mbi shpërthimin e fabrikës së demontimit Alba Demil. Shumë nga avokatët kërkuan pavlefshmëri të akteve që ndodhen në dosjen e akuzës. Avokati i Ylli Pinarit kërkoi gjithashtu zhvillimin e seancave gjyqësore pa praninë e mediave me pretendimin se gjatë procesit do të zbulohen sekrete shtetërore.
Veçimi
Gjykata refuzoi të ndante dosjen e Gërdecit duke hedhur poshtë kërkesën e ish-ushtarëve që janë të pandehur në këtë proces. Gjatë seancës së radhës, trupi i gjykues i drejtuar nga gjyqtari Ridvan Hado lexoi vendimin e ndërmjetëm duke shpjeguar dhe arsyet pse përse refuzohej kërkesa e ushtarakëve. Një seancë më parë
ushtarakët kërkuan veçim të dosjes nga 4 të pandehurit e tjerë të arrestuar që akuzohen për vrasje masive dhe shkatërrim prone. Kërkesa iu paraqit trupit gjykues nga avokatët mbrojtës në seancën gjyqësore të një jave më parë. Avokatët sollën si argumentin më të fortë pretendimin se nuk ekziston asnjë provë që ato kanë bashkëpunuar për të kryer këto vepra penale. Mirëpo nuk ndan të njëjtin mendim me ta trupi gjykues. Sipas arsyetimit të trupit gjykues, të kryesuar nga Ridvan Hado, kërkesa “do të dëmtonte vërtetimin e fakteve”. Hado shpjegoi më tej se prokuroria ka sjellë materiale të cilat tregojnë dhe flasin për një proces zinxhir. Nëse do të veçohej dosja ashtu siç dhe u premtua atëherë edhe pozicioni i gjithsecilit nuk do të ishte i qartë. Prokurorët që kanë hetuar për tragjedinë e Gërdecit në dosje kanë dhënë shumë shpjegime përse të pandehurit kanë bashkëpunuar për të vënë në jetë fabrikën e demontimit nëpërmjet të cilës u shkaktua dhe tragjedia.

Faktet e Prokurorisë për bashkëpunimin e të pandehurve

Në aktet e përpiluara nga institucioni i akuzës të cilat janë dorëzuar në Gjykatë për shqyrtim shkruhet se : “I pandehuri Fatmir Mediu, për të realizuar synimet e tij kriminale në interes të përfitimeve të padrejta të shoqërisë ALBADEMIL shpk, nëpërmjet shoqërisë amerikane SAC inc, ka iniciuar hartimin dhe ka miratuar disa akte nënligjore. Ai ka iniciuar një projekt-vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekt-urdhra, të cilët kanë orientuar dhe urdhëruar realizimin e procesit të shitjes së municioneve për çmontim dhe çmilitarizim në përmbushje të kërkesës/ofertës të përmendur më sipër, kërkesë/ofertë e cila është përgatitur nga i pandehuri Ylli PINARI, bashkëpunëtor i ngushtë dhe i afërt i tij. Në përgatitjen e projekt-vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe projekt-urdhrave të tij, i pandehuri Fatmir MEDIU ka bashkëpunuar me një pjesë të stafit të ngushtë/afërt të tij, të pandehurin Ardian Mullahi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i MM-së, Shkëlzen Madani, ish-drejtor i DMIBM-së, Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s, Dashnor Çaushi, ish-drejtor i Drejtorisë së Logjistikës në SHPFA, Armand Tartari, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit, Programimit, Buxhetimit në MM, si dhe në bashkëfajësi me të pandehurit Ndue Marku, ish-drejtor i DHLMK-së, Luan Hoxha ish-shef i SHPFA-së, Agim Lala, ish-zv/shef i SHPFA-së, Hilmi Lacaj, ish-shef i Armatim - Municioneve në Drejtorinë e Logjistikës në SHPFA.”, kjo është një nga pjesët e shkëputura në aktet e prokurorisë.

Të dhënat zyrtare pas tragjedisë

Sipas prokurorisë, ngjarja e ndodhur me datë 15 mars 2008, në ambientet e “Ish-Brigadës së Tankeve” në Gërdec-Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve shoqëria “ALBADEMIL” sh.p.k, për nga përmasat dhe shtrirja e saj; për nga pasojat tejet të rënda njerëzore, materiale, sociale dhe psikologjike; për nga dëmtimi i interesave materiale dhe jomateriale të shtetit, si dhe për nga cenimi i një sërë marrëdhëniesh të tjera shoqërore të mbrojtura posaçërisht me ligj, konsiderohet një nga ngjarjet më tragjike të viteve të fundit, e cila krijoi një situatë tejet të rëndë humane, sociale, ekonomike, psikologjike, ekologjike, si dhe cenoi rëndë sigurinë në gjithë rajonin dhe më gjerë. Shpërthimet masive, në këtë ngjarje, të lëndëve plasëse dhe djegëse afër qendrave të banuara, objekteve sociale, bizneseve, rrugëve nacionale, stacionit hekurudhor Vorë, aeroportit “Nënë Tereza” Rinas, etj, ka shkaktuar: vdekjen 26 personave, plagosjen e rëndë të 27 personave, plagosjen e lehtë të 109 personave, dëmtime të parëndësishme të 67 personave dhe dëmtime të tjera të pa klasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra mjekësore. Gjithashtu, ka shkatërruar dhe dëmtuar pasuritë në vlerë 2 243 843 616 lekë, që përfaqëson pasuri të shtetasve në vlerë 2 141 343 616 lekë.

8 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›