Ndotja akustike, qytetarët varg ankesash në Ministrinë e Mjedisit
Zhurmat e larta të shkaktuara nga lokalet, kanë bërë që dhjetëra qytetarë të drejtojnë ankesa pranë Ministrisë së Mjedisit për parandalimin e këtij fenomeni. Zhurmat e vazhdueshme pas orës 23:00 të mbrëmjes kanë shkaktuar probleme të mëdha tek qytetarët, të cilët kanë kërkuar zbatimin e ligjit. Kreu i Inspektoratit të Mjedisit, Ilir Bala, kërkon ndihmën e Policisë Bashkiake në këto aksione, pasi ndotja akustike mbetet për qytetarët e Tiranës problemi më i madh për një jetesë normale. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë se sipas ligjit niveli i zhurmave duhet të jetë në masën 45 decibel, por realisht ajo tejkalohet 2 deri në 3 herë mbi normën e lejuar nga Komuniteti Europian. Niveli i lartë i zhurmave i cili vazhdon për një kohë të gjatë, shkakton nervozizëm, stres, pagjumësi dhe në raste të rralla edhe shurdhim. Ndotja akustike krijon probleme psikologjike dhe sociale tek personat që jetojnë në ambiente të tilla. Për këtë arsye, gjatë kësaj fundjave, të paktën 41 lokale nate në Tiranë janë ndëshkuar me masa administrative, me gjobë dhe me pezullim të aktivitetit, për zhurmën e lartë që shkaktojnë dhe që përbën një problem shqetësues për qytetarët që banojnë pranë tyre. Specialistët e Agjencisë Rajonale të Mjedisit, kryen inspektime në lokalet e kryeqytetit që shkaktojnë ndotje akustike dhe prishin qetësinë publike pas orës 23.00. Ata vendosën masa me gjobë për 12 lokale në kryeqytet, nga 30 mijë deri në 50 mijë. Ndërsa, masa për pezullimin e kryerjes së aktivitetit deri në shlyerjen e gjobës u ndërmor për 29 lokale të tjerë. Ky inspektim u mbështet edhe nga Policia e Shtetit dhe u shtri fundjavën e kaluar në të gjitha lokalet e kryeqytetit. Në këto lokale është ushtruar kontroll dhe më parë nga ARM, duke u lënë dhe detyrat përkatëse për uljen e nivelit të zhurmës dhe pajisjen me lejen mjedisore përkatëse. MMPAU bën të ditur se gjithashtu, ky operacion do të shtrihet në të gjithë qytetet e vendit. Aksioni u ndërmor në zbatim të ligjit “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, qëllimi i të cilit është mbrojtja e shëndetit të njerëzve dhe të mjedisit nga zhurmat, duke përcaktuar mënyrën e shmangies dhe masat për parandalimin, reduktimin dhe zhdukjen e efekteve të dëmshme të ekspozimit ndaj tyre (përfshirë dhe bezdinë nga zhurma).
MASH-UNICEF, mbaron në 2010-n plani për mbrojtjen e fëmijëve ndaj çdo dhune
Përfundon në vitin 2010, plani 4-vjeçar për mbrojtjen e fëmijëve ndaj çdo dhune. Plani COMBI (Komunikimi për një Impakt të të Sjellurit), një program i përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe UNICEF, synon që përmes një mjeti disiplinor në Shqipëri, të reduktohen rastet e dhunës të mësuesve kujdestarë ndaj nxënësve, bënë të ditur të mërkurën për ATSH-në burime zyrtare të MASH. Projekti, i cili ka nisur në maj 2007 dhe që do të përfundojë në vitin 2011, po ndërmerret pas rasteve të dhunës në shkolla dhe në familje, mbi bazën e të dhënave të raportit “Dhuna ndaj fëmijëve në Shqipëri”, përgatitur nga UNICEF. Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna e çdo forme, parashikohet në Konventën e të Drejtave të Fëmijëve si dhe në Kushtetutën e Shqipërisë. Në përfundim, pas një periudhe 4-vjeçare, pra në vitin 2011, mësuesit kujdestarë, por dhe nxënësit e arsimit 9-vjeçar, do të jenë në gjendje që të zgjedhin metoda alternative disiplinimi, në vend të përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj nxënësve.
8 Tetor 2009