Shqiptarja vret veten, nuk donte të kthehej në Shqipëri
Një vajzë minorene shqiptare ka vrarë dje veten me kabllon e televizorit në një rajon të Italisë, me frikën se do të kthehej në Shqipëri, pasi i ati ishte depërtuar para tre muajsh. Edlira Gjeçi do të mbushte 17 vjeçe pas pak ditësh, por prej kohësh ajo dukej se ishte tronditur nga frika se do të kthehej edhe ajo në Kavajë, ku familja e saj jetonte përpara transferimit në Itali. Shokët e klasës ku ajo studionte me rezultate të shkëlqyera, kujtojnë ëndrrat e saj dhe ankthin që e kishte pushtuar. Mediat italiane shkruajnë se “e vrau frika që e shoqëronte për kthimin e saj në Shqipëri, e vranë ëndrrat për të udhëtuar, për të folur anglisht, për të udhëtuar në të gjithë botën”. Ajo kishte frikë se mos kthehej në Kavajë, qytet të cilin e kishte lënë në moshën katërvjeçare për të studiuar në lice në qytezën e Verçelit. Tashmë trupi i saj do të kthehet në qytetin e lindjes në Shqipëri. “Shpresonim të paktën për një ceremoni, për t’i dhënë lamtumirën e fundit”, kanë deklaruar shokët e klasës. Tashmë e vetmja mënyrë për ta kujtuar do të jetë lënia e një luleje në bankën që ulej Edlira. Familja ka bërë homazhet në Itali dhe në drejtim të Verçelit është nisur i ati Qerimi, e ëma Adriana, si dhe motra 11 vjeçe. Sipas mediave lokale, vajza nuk ka lënë asnjë letër, vetëm disa kujtime në kompjuterin e saj, të cilin policia e ka sekuestruar, në kërkim të gjurmëve për hetimin e kësaj çështje. Në pyetje janë marrë edhe fqinjët e familjes shqiptare, të cilët kanë deklaruar se “prindërit i plotësonin të gjitha dëshirat vajzës, por ajo kishte frikë se ndoshta nuk mund të realizonte ëndrrat”. Pikërisht këto ditë po flitet shumë për fëmijët e emigrantëve, që të rritur në Itali, ku kanë studiuar, apo edhe kanë lindur, nuk gëzojnë asnjë të drejtë. Nga njëra anë kryetari i Dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini, ngul këmbë që këta fëmijë duhet të kenë nënshtetësinë italiane, sepse janë italianë nga kultura dhe formimi. Tezë kjo që kundërshtohet me forcë nga ministri i Punëve të Brendshme, Roberto Maroni, eksponent i lidhjes së Veriut. Edlirën e përshkruanin të gjithë si një vajzë të ndrojtur. Pak herë e kishin parë buzëqeshjen e fotos në këndin e klasës. “Në mëngjesin e tragjedisë ishte shumë e lumtur”, tregon Jolanda Monti, mësuesja e saj e anglishtes, ndërsa vazhdon se “Eda kishte marrë një shtatë plus. Si mund ta imagjinonim se pak orë më vonë do të vetëvritej”. Në orën gjashtë të pasdites, një burrë që banonte në një kat sipër familjes shqiptare e ka parë duke mbyllur dritaret e apartamentit. E ëma ishte duke bërë pazarin, ndërsa e motra kishte dalë me shokët. Një orë më vonë kanë hapur derën e shtëpisë dhe kanë filluar ulërimat. “I dëgjova dhe më pas u mundova për ta shpëtuar, por ishte shumë vonë”, tregon një grua fqinje e familjes shqiptare Gjeçi.
#