3000 policë në shesh, Basha vëzhgon operacionin sipër Kryeministrisë
E gjithë Policia e Tiranës, forcat speciale dhe Garda e Republikës kanë zbritur në bulevardin kryesor të Tiranës, pasi kishin frikë për sulm ndaj Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera. Situata para tubimit të djeshëm ka qenë tejet e nxehtë dhe kjo ka detyruar që policia të marrë supermasa, ashtu siç nuk ka ndodhur kurrë më parë, duke u udhëhequr nga vetë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili është parë edhe në tarracën e Kryeministrisë, teksa jepte direktivat mbi drejtuesit e policisë dhe gardës.
Sipas të dhënave, Ministria e Brendshme kishte informacione se do të kishte sulm mbi institucionet shtetërore. Kështu, forca të RENEA-s kanë blinduar Ministrinë e Brendshme, ndërkohë që Garda ka mbushur Kryeministrinë. Veç Gardës, pranë Kryeministrisë është vendosur një kordon i gjatë dhe i gjerë me punonjës policie, që udhëhiqeshin nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Ai është shfaqur rreth orës 18:50 mbi tarracën e Kryeministrisë, duke përshëndetur drejtuesit e policisë, që ishin angazhuar me mbarëvajtjen e protestës, ndërkohë që ka marrë në dorë edhe drejtimin e planit të masave, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë dhe komandantin e Gardës së Republikës. Sipas të dhënave, veç policëve në rrethe, e gjithë Drejtoria e Policisë së Tiranës ka qenë në gatishmëri, bashkë me forcat speciale, duke përfshirë repartin RENEA dhe FNSH-të.
Dita e djeshme ka nisur me nota të larta që nga qytetet nga vinin mijëra njerëz, të cilët ishin nisur për mitingun e Partisë Socialiste. Por, situata është bërë më e komplikuar në Tiranë, ku të gjitha rrugët kryesore ishin të mbushura me punonjës policie. Në Rrugën e Elbasanit, forcat policore kishin bllokuar rrugën tek kryqëzimi që të çon te Qyteti Studenti. Aty, asnjë makinë me targa rrethesh apo të huaja nuk lejohej të kalonte drejt qendrës, të gjitha ktheheshin drejt Qytetit Studenti, ku pranë Fakultetit të Ekonomikut, kishin zbarkuar protestues të shumtë nga Elbasani, Pogradeci, Korça e zona të tjera. Rruga është bllokuar vetëm në momentin kur ata janë nisur për të shkuar drejt Kryeministrisë, ku do të zhvillohej tubimi dhe janë të vendosura çadrat e grevistëve. Te “Zogu i Zi”, policia ka bllokuar shumë autobusë, duke mos i lejuar të shkojnë drejt Stacionit të Trenit, ku prisnin qindra protestues të tjerë. Madje, kjo ka sjellë edhe pakënaqësi te turma që qëndronte te Stacioni i Trenit, të cilët, nën udhëheqjen e deputetit Tomë Doshi, kanë bllokuar kryqëzimin e Unazës me bulevardin “Zogu I”. Aty janë bllokuar gjithë makinat dhe nuk janë lejuar të qarkullojnë, pavarësisht ndërhyrjes së policisë. Madje ka pasur disa përplasje mes drejtuesve të mjeteve dhe protestuesve, ku këta të fundit kanë lejuar të kalojnë veç makina urgjence për në spital. Bllokimi i rrugës ka zgjatur rreth 45 minuta, ndërkohë që nga “Zogu i Zi” ishte bllokuar Rruga e Durrësit dhe protestuesit kishin nisur marshimin drejt qendrës. Ndërkaq, grupe të tjera që vinin nga Jugu i Shqipërisë kanë bllokua Rrugën e Kavajës me marshimin e tyre, ku edhe në këto zona ishin vendosur mjaft forca policore.
Ndryshe nga Gjykata e Tiranës, katër të ndaluar nga policia gjatë protestave në Tepelenë, vazhdojnë të jenë të izoluar në dhomat e paraburgimit, pasi togat e zeza të Gjirokastrës nuk kanë vendosur ende për masën e sigurimit të tyre. Personat e arrestuar, Luan Gerbi, Përparim Hodo, Astrit Pasha dhe Novruz Shehu kanë mbetur në qeli, pasi një gjyqtare e caktuar për të kryesuar seancën e vlerësimit të masës së sigurisë ka qenë në një seminar ndërkombëtar në Tiranë. Dy protestues të tjerë të arrestuar në të njëjtën ditë me katër të arrestuarit e sipërpërmendur, një burrë dhe një grua, u liruan nga policia disa orë pas arrestimit dhe hetohen në gjendje të lirë.
Ndërsa në Korçë katër protestuesit socialistë të arrestuar nga policia, pas përplasjes mes forcave policore dhe simpatizantëve të majtë janë lënë të lirë. Katër të prangosurit e policisë Seladin Mekolli, Detar Lipo, Agim Turuku dhe K. Tanellari janë lënë të lirë me detyrim paraqitjeje për të qenë në dispozicion të thirrjes për nga ana e organit hetimor. Gjithashtu edhe në Fier 15 persona janë bërë objekt hetimi nga prokuroritë respektive të të dy rretheve. Ndërsa Gjykata e Durrësit e ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin e tre protestuesve të arrestuar gjatë protestës së Partisë Socialiste në hyrje të superstradës Durrës-Tiranë. Megjithatë, në përfundim, Afrim Duka, Seit Xhunga dhe Erion Bregasi janë lënë të lirë me detyrim paraqitjeje pranë organit të akuzës për aq kohë sa hetimet ndaj tyre vazhdojnë.
#