Kapet i gjashti i plaçkitjes së lokaleve në Tepelenë
Gjirokastër - Ndalohet pjesëtari i gjashtë dhe i fundit i grupit që vidhte lokalet në Tepelenë, i cili u godit nga policia gjatë operacionit të koduar “Vjosa”, organizuar dy ditë më parë, nga agjentët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër. Agjentët, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë bënë të mundur zbardhjen e një seri vjedhjesh lokalesh në rrethin e Tepelenës dhe arrestimin e 5 personave si autorë të këtyre vjedhjeve. Kurse dje u bë e mundur kapja dhe ndalimi i pjesëtarit të gjashtë të këtij grupi, Nesti Beqiri, 26 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Delvinë. Policia tha se Beqiri, në bashkëpunim me Luan Cacën, Jonid Haxhiajn, Haxhi Salajn, Klodian Musarën dhe Erjon Balliajn kanë vjedhur dyqanet dhe lokalet në rrethin e Tepelenës. Nga hetimet e bëra ka rezultuar se përveç vjedhjeve të evidentuara pas kapjes së të pestëve, u zbardh që grupi me gjashtë hajdutë, në bashkëpunim mes tyre, më datën 21 dhjetor 2008, kanë vjedhur me thyerje lokalin e A. P., në Këlcyrë të rrethit Përmet, ku kanë marrë mallra dhe sende të ndryshme me vlerë rreth 90 000 lekë. Kapja e të gjashtit të bandës plaçkitëse u bë në banesën e tij, pa rezistencë ndaj forcave policore.
Vrasja e Shkopetit, dëshmon e dashura e të masakruarit
Burrel- Dëshmia e të dashurës së Maksim Lalës, i ekzekutuar dhe përçudnuar edhe si kufomë në afërsi të Shkopetit, sipas burimeve nga Prokuroria e Burrelit, duket se e ka fundosur çdo alibi të të akuzuarit për këtë vrasje, Luftar Reçi.
I. V., vajza nga Tirana që ka bashkëjetuar për disa muaj me Lalën, duke dëshmuar para trupit gjykues, ka rindërtuar sot në seancën gjyqësore në Gjykatën e Matit tërë skenat e ngjarjes, duke thënë se më 10 maj 2005 ka folur me të dashurin e saj deri në orët e vona të mbrëmjes dhe se ai i është shprehur se po udhëtonte nga Tirana në drejtim të Burrelit së bashku me Luftar Reçin. Më tej, sipas dëshmisë së saj, ka folur disa herë me Maksimin, ku i thuhej gjithnjë se ishte me Luftarin. Por pas orës 22:00 telefoni i tij nuk i është hapur më, edhe pse e ka kërkuar shpesh atë. Kjo e ka bërë merak. Ajo ka thënë se Maksimi me Luftarin ishin shokë dhe rrinin vazhdimisht bashkë, por nuk dinte asgjë rreth aktivitetit me të cilin merreshin ata. Duke qenë se telefoni i të dashurit të saj nuk po hapej as ditën e nesërme, po atë ditë kanë bërë një kallëzim në Komisariatin Nr. 4 të Tiranës, duke u shprehur se Maksimi mund të ishte zhdukur. Janë këto deklarime, në të njëjtën linjë të dhënë edhe në vitin 2005 para hetuesve të Krimeve të Rënda, të cilat janë vlerësuar nga prokurori i çështjes si shumë të rëndësishme për ecurinë e këtij procesi gjyqësor. Deri tani ka përfunduar pyetja e dëshmitarëve dhe sigurimi i provave, ndërsa pritet që në fillim të muajit mars të formulohet dhe pretenca e organit të akuzës.
Sarandë, ndërhyhet në katin e parë, pallati rrezikon shembjen
Prej mëse katër muajsh, shtatë familje të një pallati në qytetin e Sarandës jetojnë me frikën e shembjes së ndërtesës. Shkak për këtë janë bërë punimet që po kryhen privatisht në hyrjen e katit të parë, punime që kanë zbuluar themelet e pallatit. Banorët e këtij pallati, ndërtuar prej më shumë se 35 vitesh në qytetin e Sarandës, thonë se pas ndërhyrjeve janë vërejtur plasaritjet dhe çarjet e shfaqura në të gjitha muret e apartamenteve të tjera janë kthyer në një rrezik për banorët që jetojnë në këtë godinë. Banorët për problemin e tyre kanë shkuar edhe në Bashkinë e qytetit, ku është thënë se do të pezullohen punimet që po kryhen, por deri tani nuk është bërë asgjë. Madje punimet vazhdojnë të kryhen ende pa pyetur për shqetësimet e pjesës tjetër të komunitetit.
Tubim për ribashkimin e Mirditës në kufijtë natyralë të saj
Rrëshen - Drejtuesit e disa prej komunave, që aktualisht u përkasin qarqeve të Shkodrës, Lezhës, Dibrës dhe Matit, firmosën bashkimin me Mirditën. Duke e konsideruar padrejtësi të kohës, një grup nismëtarësh kanë ndërmarrë iniciativën për ribashkimin e të gjitha trevave mirditore në një nënprefekturë të vetme. Grupi iniciator përbëhet nga ish-deputeti Luigj Gjoka, një ish-i burgosur politik, Zef Përpjetri, si dhe Filip Gjonmarkaj, pinjoll i derës së kapedanit të Mirditës. Ata prej disa muajsh kanë punuar në grup për ribashkimin e Mirditës, ndërkohë që intensiteti i punës është shënuar pas takimit me kryeministrin Sali Berisha, i cili ka dhënë mbështetjen e tij. Takimi kryesor u zhvillua në sallën e Qendrës Kulturore të Mirditës, ku morën pjesë deputeti i Kuvendit, z. Ndue Shpani, kryetari i qarkut Lezhë, Bardh Rica, kryetari i komunës së Vaut të Dejës Shkodër, z. Gjon Marku, Ded Përshpali, nënprefekt i Pukës, Ndue Cara, kryetari i komunës së Gjegjanit Pukë, Pal Çoku kryetari i komunës Ulzës Burrel, Arben Doçi, kryetar i komunës Zejmen në Lezhë, Mark Ruçi, kryetar i Bashkisë Rubik etj.
Takimi është hapur dhe moderuar nga Gjon Dedaj, kryetari i Bashkisë Rrëshen, ndërkohë që ish-deputeti Luigj Gjoka, në cilësinë e organizatorit, tha se “jemi të mendimit se një nismë e tillë korrigjon një padrejtësi të madhe, por gjithsesi ne nuk po diktojmë, por po i paraprijmë një projekti qeveritar që do të startojë pas pak kohësh”. Kryetari i qarkut, Bardh Rica, evidentoi faktin se një rast i tillë ishte ezauruar edhe në rrethin e Kurbinit, ndërkohë që këmbënguli në një nismë të tillë, duke ofruar të gjithë mbështetjen e tij dhe të institucionit. Në mbështetje të tij dhe të kësaj nisme janë shprehur të gjithë drejtuesit e njësive vendore që u përkasin rretheve si Shkodra, Puka, Mati dhe Lezha. Në fund, të gjithë të pranishmit kanë firmosur një peticion, ku i bëhet thirrje qeverisë për të mbështetur këtë nisme, e cila, sipas organizatorëve, do ta rikthejë Mirditën ne kufijtë e saj natyralë.
18 Shkurt 2009