Tubim për ribashkimin e Mirditës në kufijtë natyralë të saj
Rrëshen - Drejtuesit e disa prej komunave, që aktualisht u përkasin qarqeve të Shkodrës, Lezhës, Dibrës dhe Matit, firmosën bashkimin me Mirditën. Duke e konsideruar padrejtësi të kohës, një grup nismëtarësh kanë ndërmarrë iniciativën për ribashkimin e të gjitha trevave mirditore në një nënprefekturë të vetme. Grupi iniciator përbëhet nga ish-deputeti Luigj Gjoka, një ish-i burgosur politik, Zef Përpjetri, si dhe Filip Gjonmarkaj, pinjoll i derës së kapedanit të Mirditës. Ata prej disa muajsh kanë punuar në grup për ribashkimin e Mirditës, ndërkohë që intensiteti i punës është shënuar pas takimit me kryeministrin Sali Berisha, i cili ka dhënë mbështetjen e tij. Takimi kryesor u zhvillua në sallën e Qendrës Kulturore të Mirditës, ku morën pjesë deputeti i Kuvendit, z. Ndue Shpani, kryetari i qarkut Lezhë, Bardh Rica, kryetari i komunës së Vaut të Dejës Shkodër, z. Gjon Marku, Ded Përshpali, nënprefekt i Pukës, Ndue Cara, kryetari i komunës së Gjegjanit Pukë, Pal Çoku kryetari i komunës Ulzës Burrel, Arben Doçi, kryetar i komunës Zejmen në Lezhë, Mark Ruçi, kryetar i Bashkisë Rubik etj.
Takimi është hapur dhe moderuar nga Gjon Dedaj, kryetari i Bashkisë Rrëshen, ndërkohë që ish-deputeti Luigj Gjoka, në cilësinë e organizatorit, tha se “jemi të mendimit se një nismë e tillë korrigjon një padrejtësi të madhe, por gjithsesi ne nuk po diktojmë, por po i paraprijmë një projekti qeveritar që do të startojë pas pak kohësh”. Kryetari i qarkut, Bardh Rica, evidentoi faktin se një rast i tillë ishte ezauruar edhe në rrethin e Kurbinit, ndërkohë që këmbënguli në një nismë të tillë, duke ofruar të gjithë mbështetjen e tij dhe të institucionit. Në mbështetje të tij dhe të kësaj nisme janë shprehur të gjithë drejtuesit e njësive vendore që u përkasin rretheve si Shkodra, Puka, Mati dhe Lezha. Në fund, të gjithë të pranishmit kanë firmosur një peticion, ku i bëhet thirrje qeverisë për të mbështetur këtë nisme, e cila, sipas organizatorëve, do ta rikthejë Mirditën ne kufijtë e saj natyralë.
18 Shkurt 2009