Matura, hiqet fragmenti nga provimi i Letërsisë
Hiqet fragmenti nga provimi i Letërsisë, që është njëri nga dy provimet me detyrim të Maturës Shtetërore. Specialistët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) shpjegojnë arsyet pse është hequr fragmenti nga programi orientues i Letërsisë. Sipas specialistëve të AVA-s, tekstet që përdorin në programin mësimor shkolla të ndryshme janë të shumëllojshme. Për pasojë, po sipas specialistëve të AVA-s, përkthime të ndryshme sillnin të njëjtin fragment në forma të ndryshme. Duke pasur parasysh këtë panoramë në përkthimin e fragmenteve, drejtuesit e AVA-s, e kanë parë të arsyeshme që ta nxjerrin jashtë programit orientues të Letërsisë fragmentin. Megjithatë, maturantët duhet të mësojnë autorët përkatës dhe veprat e tyre, ashtu siç janë përcaktuar në programet orientuese, të cilat kanë përfunduar së hartuari dhe një pjesë e tyre janë shpërndarë nëpër shkollat e mesme. Ndërsa ato të lëndëve me zgjedhje do të shpërndahen gjatë kësaj jave nëpër shkolla. Provimi i Letërsisë do të ketë 25 pyetje, nga të cilat 13 do të jenë me alternativa dhe 12 me zhvillim. Në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar.
Danimarka ofron 12 bursa për studime “Master”
Qeveria daneze ofron 10-12 bursa për studime pasuniversitare të nivelit master për studentë të huaj në universitetet publike të Danimarkës, për vitin akademik 2009-2010. Sektori i Marrëdhënieve me Jashtë pranë Ministrisë së Arsimit, në kuadër të programit të bursave për studimin e klimës nga COP 15 (inicialet që përdoren për Konferencën Botërore të OKB-së që mbahet çdo fund viti në Kopenhagen “Mbi ndryshimin e klimës”), njofton se afati i fundit për plotësimin e aplikimit on-line është data 1 mars 2009. Për një informacion më të hollësishëm lidhur mbi bursat që ofrohen, mënyrës së plotësimit të formularit të aplikimit si dhe të përgatitjes së dokumentacionit nga aplikanti, referohuni adresës së mëposhtme të internetit: https: wwwstudyindenmark.dk/climate.
18 Shkurt 2009