Klasat e nënta, miratohet rregullorja e re e provimeve të Lirimit
Ndryshimet që ka pësuar kjo rregullore dhe të rejat. Procedura e re, si do të kryhet testimi i nxënësve
Jonida Tashi
Miratohet rregullorja e re e provimeve të lirimit për klasat e nënta. Rregullorja e re, e firmosur këto ditë nga kreu i Ministrisë së Arsimit, Fatos Beja, ka pësuar disa ndryshime përsa u përket procedurave për zhvillimin e provimit. Kështu, këtë vit, për herë të parë, provimet e lirimit për nxënësit që mbarojnë klasën e nëntë nuk do të bëhen më nga mësuesit e shkollave të tyre. Burime nga Ministria e Arsimit shpjegojnë se ashtu si dhe për Maturën Shtetërore, kontrolli i dijeve të nxënësve do të bëhet nga mësues të jashtëm, nga shkollat e tjera të rrethit. Sipas dikasterit të Arsimit, ky është një hap për të shkuar drejt një vlerësimi më të saktë të rezultateve të çdo nxënësi.
Procedura
Procedurat e provimeve të lirimit, këtë vit, për herë të parë do të jenë të përafërta me ato të Maturës Shtetërore. Burime nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) sqarojnë se dy veçantitë kryesore të përfshira në rregulloren e re për zhvillimin e provimeve të lirimit janë: administrimi dhe vlerësimi i jashtëm i punimeve të nxënësve dhe punime të sekretuara. Periudha e zhvillimit të provimeve të lirimit do të jetë muaji qershor, ku do të alternohen datat e zhvillimit të testimeve me ato të Maturës Shtetërore. Përveç përafrimit të mënyrës së zhvillimit të provimeve të lirimit me ato të Maturës edhe struktura e tezës për provimet e klasës së nëntë do të jetë e ngjashme me atë të Maturës Shtetërore. Ndryshimi i vetëm qëndron në faktin se teza për provimet e lirimit do të jetë pak më e shkurtër si sasi pyetjesh. Ajo do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat mendohet që 10 të jenë me alternativa dhe 10 me zhvillim, pak a shumë sikurse teza e provimeve me zgjedhje që jepet në Maturën Shtetërore. Nxënësit e klasave të nënta do të testohen në dy lëndët tradicionale të provimeve të lirimit që janë: Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë. Provimet do të bëhen vetëm me shkrim.
Korrigjimi
Specialistët që do të merren me hartimin e testeve nuk do të izolohen si në rastin e provimeve të Maturës. Po ashtu, edhe korrigjimi i testeve për provimet e lirimit nuk do të bëhet sipas praktikës së ndjekur për provimet e Maturës, në katër qendra të mëdha vlerësimi në të gjithë vendin, por në qendrat e ngritura në drejtoritë arsimore rajonale në çdo rreth. Ekipi i vlerësuesve të punimeve do të caktohet nga mësuesit më të mirë të rrethit, po nga drejtorisë arsimore rajonale përkatëse. Provimet e nxënësve, që i takojnë juridiksionit të një zyre arsimore rrethi dhe një drejtorie arsimore rajonale, do të mblidhen dhe do të korrigjohen në një qendër vlerësimi të përcaktuar prej Drejtorisë Arsimore Rajonale, sikurse edhe Matura Shtetërore. Ndryshimi i vetëm është se nëse në Maturën Shtetërore të gjitha punimet grumbullohen fillimisht në Tiranë dhe më pas shpërndahen në katër qendra, në provimet e lirimit, punimet e çdo rrethi mblidhen në qendrën e ngritur pranë tij.
Teza do të jetë e njëjtë për të gjitha shkollat e vendit
Teza për provimet e lirimit do të jetë e njëjtë për të gjithë nxënësit e klasave të nënta në vend. Përveç përgatitjes së rregullores së re për provimet e lirimit, AVA do të hartojë edhe modelin e testit. Drejtuesit e AVA-s sqarojnë se është menduar që teza të jetë e njëjtë për të gjitha shkollat e vendit. Testi pas përgatitjes nga specialistët e AVA-s do të shpërndahet në Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe nëpër zyrat e arsimit nëpër rrethe. Kurse mësuesit që do të angazhohen gjatë ditëve të zhvillimit të provimit, pra administratorët e provimit, nuk do të jenë nga shkolla ku do të bëhet provimi, por do të këmbehen me njëri-tjetrin. Do të ketë një përgjegjës administrimi për çdo mjedis provimi, sikurse edhe në Maturën Shtetërore. Punimet e nxënësve do të jenë të sekretuara, me mënyra më të thjeshta se ato të Maturës Shtetërore. Megjithëse nuk do të përdoren bar-kode për sekretimin e testeve të provimit, mbi këto të fundit dhe në fletën e regjistrimit do të vendoset një numër regjistrimi i mbyllur, i cili do të hapet vetëm pasi të mbarojë korrigjimi. Pikët që nxënësit do të marrin në provim do të identifikohen nga numrat përkatës që ata do të kenë në teste.
18 Shkurt 2009