Itali, nëna shqiptare bie nga dritarja me dy fëmijët
Një familje shqiptare në Itali, i ka shpëtuar për mrekulli një tragjedie mesditën e së shtunës. Nëna më vajzën dhe djalin e saj, së bashku me një italian me të cilin bashkëjetonte, kanë rënë nga dritarja e katit të tretë të shtëpisë së tyre dhe kanë përfunduar në spital. Ngjarja ka ndodhur në provincën Costa Volpino të Italisë kur familja ka qenë duke qëndruar në dritare, por papritmas kangjella është shkëputur dhe ata kanë rënë të katërt në tokë. Liljana Zeneli, 40 vjeç dhe vajza e saj 3-vjeçare janë rrëzuar nga kati i tretë i vilës, nga ku kanë rënë edhe i fejuari i saj Euterio Nava me djalin 10-vjeçar Devis. Sipas mediave italiane katër familjarët janë rrëzuar nga rreth 4 metra lartësi dhe sipas të dhënave, në gjendje më të rëndë është 40-vjeçarja shqiptare, por jo në rrezik për jetën. I fejuari i saj dhe dy fëmijët kanë marrë plagë më të lehta por edhe ata ndodhen të shtruar në spital. Ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë në orën 19:20, në rrugën "Fratelli Malgarotti 10", në periferi të qytezës Pisogne. Karabinierët po hetojnë për të zbardhur dinamiken e incidentit, por sipas të dhënave të para mendohet se bulonat që mbanin kangjellat ndoshta janë shkëputur për shkak të peshës së madhe. Shtëpia ku banonte familja shqiptare ishte ndërtuar gjashtë vjet më parë, kur familja shkoi për të jetuar atje. Kur kangjella e dritares është shkëputur dhe ka rënë në rrugë, vajza 3-vjeçare ka qenë ndërmjet këmbëve të nënës së saj dhe kanë rënë në toka të dyja njëherësh. Menjëherë më pas kanë rënë edhe Euterio Nava, i cili ishte bashkë me djalin 10 vjeç. Një nga dëshmitarët e ngjarjes ka treguar se gruaja shqiptare kishte dalë në dritare, duke biseduar me të dhe më pas afër saj kanë shkuar edhe dy fëmijët dhe i fejuari. Ajo i ka treguar policisë së ka parë gjithçka, në momentin që ata kanë rënë nga dritarja. Liljana Zeneli bashkë me të bijën përfunduan në trotuarin që ndodhej ngjitur me shtëpinë, ndërsa i fejuari dhe djali 10 vjeç përfunduan në lulishte.