E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikoi 23-vjeçaren në Itali, arrestohet “tutori” në Tiranë

 TIRANE - Operacioni i Antitrafikëve të Tiranës, i koduar “Udine”, ka përfunduar mëngjesin e djeshëm me arrestimin e një 46-vjeçari, i cili mbahej në hetim prej 3 muajsh, me akuzën e “trafikut të femrave. Burime nga policia thanë se është arrestuar në lagjen Kombinat të Tiranës, Agim Imeri, lindur në Kukës e banues në Tiranë. Policia sqaroi se arrestimi i tij u bë, pasi dyshohet se në muajin gusht të vitit 2009, ka trafikuar në Udinë të Italisë, për qëllime prostitucioni një 23-vjeçare nga Tirana. Imeri i ka premtuar vajzës, se do të jetonte me të në Itali, por me të arritur ka nisur torturat ndaj saj, deri sa e ka detyruar që të ushtrojë prostitucion. Burimet sqaruan se në bazë të denoncimit që ka bërë nga Udine, vajza nga Tirana, mësohet se ajo është shfrytëzuar në rrugën e Italisë, për katër muaj rresht, nga Tutori i saj. Një njoftim zyrtar i policisë së Tiranës sqaroi se, procedimi penal në ngarkim të 46-vjeçarit, Imeri ka filluar pas dhënave të siguruara nga Seksionit i Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme, dhe pas kallëzimit penal të deponuar edhe nga vetë e dëmtuara. Në kallëzimin e saj të detajuar, pas mbërritjes në Shqipëri, vajza e trafikuar deklaron se në muajin gusht të vitit 2009, Agim Imeri e ka marrë duke e trafikuar atë, nëpërmjet Malit të Zi, Kroacisë, dhe më pas në Slloveni me destinacion Italinë. Burimet sqaruan se arrestimi i tij u realizua në ambientet e një lokali në qendër të Kombinatit, në Tiranë. Pas një pune hetimore të specializuar, përreth 3 muaj investigimi dhe ndjekje policore, Seksionit i Antitrafikëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, arriti të provojë aktivitetin kriminal të Agim Imerit, provat të cilat bënë të mundur finalizimin me sukses të arrestimit të tij. Gjatë kontrollit të banesës së tij, në cilësinë e provës materiale u gjendën një pistoletë kalibër 9 mm, si dhe shumë fatura dhe korrespondencë bankare, që i dërgonte nga Italia për në Shqipëri në kohën kur kryente aktivitetin e jashtëligjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›