E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis regjistrimi fillestar për pronat në Tiranë



Laureta Rryçi

Të gjitha pasuritë e paluajtshme; prona, shtëpi, apo dyqane, të ndërtuara para dhe pas viteve ’90, do të regjistrohen edhe një herë. Ndaj, nëse keni mangësi në dokumentacion apo probleme në të dhënat e pasurisë tuaj, është koha të interesoheni për të bërë korrigjimet përkatëse. Përfaqësues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme thonë se ky proces është duke u zhvilluar në zonat urbane të qyteteve kryesore, ku ka pasur edhe ndryshime të mëdha pronësie. Burime pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive shpjeguan se nga muajt maj-qershor zyrat e hipotekës do të afishojnë në vende publike, lehtësisht të dallueshme për qytetarët, listat e pasurive që do të regjistrohen. Këto vende mund të jenë kopshte, shkolla apo godina publike, ku qytetarët mund të verifikojnë të dhënat e pasurisë dhe më pas mund të bëjnë korrigjimet e mundshme. Ndaj, përfaqësues të ZRPP-së u bëjnë apel qytetarëve që t’i verifikojnë listat përpara se të dhënat të hidhen në sistem.
Procedura
Të njëjtat burime shpjegojnë se për regjistrimin e një prone dhe për bërjen e saj të vlefshme nevojiten një sërë dokumentesh. Të rëndësishme cilësohen të gjitha dokumentet e pronësisë të lëshuara nga komisionet e ngritura për zbatimin e ligjeve mbi privatizimet, të cilat funksionojnë që nga viti 1991 e në vazhdim. Dokumentet e lëshuara pas vitit 1991 nga komisionet e kthimit e kompensimit të pronave që kanë lidhje me prona të kthyera apo të kompensuara fizikisht, si dhe të gjitha dokumentet e kalimit të pronësisë dhe të të drejtave të tjera reale mbi pronësinë me kontratë shitblerjeje, kontratë dhurimi, akt trashëgimie apo me vendim gjykate. Sipas procedurave të reja, individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë që zotërojnë këto dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin regjistruesit të ZVRPP-së një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një plan-vendosje apo gen-planin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet, si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim, shtojnë më tej specialistët dhe ekspertë e projektit të BB-së dhe ZQRPP-së.
Njohja e pronës
Pasi plotësohet dokumentacioni i kërkuar nis përgatitja e kartelës së pasurisë së paluajtshme për pronën e gjithsecilit dhe dokumentohen kufijtë e kësaj prone në hartën treguese të regjistrimit. Sipas burimeve, është shumë e rëndësishme që secili pronar të verifikojë saktësinë e kartelës dhe të hartës treguese të regjistrimit të pronës gjatë procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Më pas, informacioni i regjistruar në kartelën e pronës dhe harta treguese e regjistrimit afishohen publikisht nga në një ambientet brenda zonës kadastrale dhe rrinë të afishuara për 45 ditë me radhë. Ky moment cilësohet si shumë vendimtar për mbarëvajtjen e mëtejshme të procesit të regjistrimit. Pas këtij afati gjithçka do të kryhet përkundrejt pagesave. Në rast se ndokush konstaton pasaktësi gjatë periudhës së afishimit publik, pronarët duhet të paraqesin menjëherë një kërkesë me shkrim te personi i autorizuar nga kompania për afishimin publik ku të përshkruhen me hollësi pretendimet mbi çdo gabim ose pasaktësi, qoftë edhe një shkronjë në emër që mund të jetë vënë re. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet edhe dokumentacioni që vërteton pretendimin e secilit. Brenda periudhës 45-ditore të afishimit duhet që sërish pretenduesi të verifikojë nëse zgjidhja e pretendimit është pasqyruar në listat dhe hartat e afishuara. Pas periudhës 45-ditore vjen çasti që gjithsecili merr dokumentin që e bën pronar. Në këtë rast, për pasuritë që nuk kanë pasur pretendime ose që pretendimet janë zgjidhur, jepet certifikata për vërtetim pronësie dhe poseduesit e të drejtave të tjera reale të pasurisë (qira, hipotekim, servitude) pajisen me certifikatën përkatëse.

box
Përzgjedhja e kompanisë
Përzgjedhja e kompanisë daneze, si fituese për regjistrimin e 50 zonave kadastrale, u bë pas një tenderi ndërkombëtar të organizuar nga ZQRPP, me miratimin e Bankës Botërore. Ndërsa përzgjedhja e zonave që do t’i nënshtrohen projektit të regjistrimit të tyre fillestar, u përzgjodhën nga një grup ndërministror, i kryesuar nga ministri i Drejtësisë.
Organizimi i këtij tenderi është pjesë e Projektit për Administrimin dhe Menaxhimin e Tokës, i iniciuar nga qeveria shqiptare dhe i financuar nga Banka Botërore. Ndërkohë, si pjesë e këtij projekti të financuar nga Banka Botërore, një tjetër kompani është duke punuar për regjistrimin fillestar të rreth 120 mijë pasurive të tjera, në 22 zona kadastrale, përfundimi i të cilave pritet të ndodhë në maj të vitit 2011.
Në Shqipëri po ndërtohet sistemi i ri i regjistrimit të pasurive të paluajtshme bazuar në Ligjin Nr. 7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” (i ndryshuar). Baza e këtij sistemi krijohet nëpërmjet procedurës së regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme nën drejtimin e kryeregjistruesit të Shqipërisë.
Për të mbështetur ndërgjegjësimin publik dhe pjesëmarrjen e pronarëve, paralel me këtë projekt, financuar po nga Banka Botërore, po zhvillohet edhe projekti “Fushata e ndërgjegjësimit publik për të mbështetur regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.

Afatet, dokumentet dhe tarifat e aplikimit

Qytetarët që kanë probleme me dokumentacionin e tyre duhet të ndjekin një procedurë të re për regjistrimin e pasurisë së tyre të patundshme. Burime pranë kësaj zyre shpjeguan se ata pronarë, të cilët nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen e pronës në dokumente, mund ta rregullojnë atë vetëm me anën e një kërkese. Procedura e re saktëson se “individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë që zotërojnë këto dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin regjistruesit të ZVRPP-së një kërkesë për regjistrim pronësie, në mënyrë që të fillojë procesi i regjistrimit. Kjo kërkesë duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një plan-vendosje apo gen-planin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet, si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim. Vetëm pasi të jenë dorëzuar të gjitha këto dokumente, specialistët e ZVRPP-ve mund të fillojnë procedurat për saktësimin dhe regjistrimin e kësaj prone, deri në lëshimin e certifikatës së pronësisë.

boc
Shërbimet me kode

Për të gjitha shërbimet që kryen Zyra për Regjistrimin e Pasurive janë përcaktuar kode për shkak të sistemit të ri elektronik. Hipoteka ka përcaktuar kodet dhe shërbimet për dokumentet që shërbejnë për kalimin e pronësisë, informacionin, regjistrimin dhe fshirjen e barrëve, regjistrimin e pasurisë truall/ose ndërtesë të fituar në bazë të 28 proceseve ligjore që janë të parashikuara në formular. Së fundi dokumentet për regjistrimin fillestar të pasurisë. Në tabelën që përmban verifikimet e dokumenteve janë të përfshira verifikimet e aktit administrativ, verifikimet e aktit noterial e vendimit gjyqësor. Po kështu, për të gjitha ato raste kur kemi të bëjmë me një vendim me anë të të cilit paraqitet fitim pronësie me trashëgimi si dhe kur bëhet fjalë për kundërshtim të vendimit të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›