E RRALLË, Përgjonte fqinjën nga dritarja, denoncohet në polici
KORÇË - Bukuria e fqinjës së tij kishte bërë që një 49-vjeçar nga fshati Liqenas, Korçë, të niste përgjimet natën duke parë nga dritarja. Por kjo ka zgjatur deri pak ditë më parë, kur 40-vjeçarja e ka vënë re veprimin dhe ka shkuar e ka bërë denoncimin. Burime zyrtare nga Policia e Korçës kanë bërë të ditur se kanë nisur hetimet ndaj 49-vjeçarit Pandi Cale. Ai është denoncuar nga fqinja e tij, N. Nestori, e cila disa ditë më parë e kishte kapur në flagrancë në oborrin e banesës së saj. Kjo e fundit menjëherë ka dalë nga banesa, ndërsa 49-vjeçari është larguar me shpejtësi. Por nuk i ka shpëtuar identifikimit. Në këtë situatë, 40-vjeçarja ka shkuar dhe ka bërë denoncimin. Denoncimi i rrallë ka çuditur dhe policinë, e cila ka nisur hetimet në lidhje me të dyshuarin. Sipas të dhënave nga policia korçare, hetimet ndaj Cales janë duke u bërë në gjendje të lirë, nën akuzën e “dhunimit të banesës”.
Historia
Një 49-vjeçar është duke u hetuar nga policia, pasi është denoncuar se ka përgjuar një grua 40-vjeçare brenda banesës së saj. Ka qenë denoncimi i gruas N. Nestori që ka vënë në punë uniformat blu për të marrë dëshminë e së dëmtuarës dhe të të akuzuarit. Nga dëshmia e dhënë në polici, 40-vjeçarja ka thënë se, një natë ishte brenda banesës dhe kishte parë një njeri në oborr. Pasi e kishte hetuar situatën, ajo kishte zbuluar se personi që ndodhej në errësirë ishte një banor i fshatit të saj, fqinj me familjen. Ajo kishte parë se Cale ishte duke ndjekur me sy atë, duke e shikuar vjedhurazi kur ajo lëvizte në banesë. Por më pas kjo situatë është bërë e rrezikshme dhe ajo ka dalë jashtë, duke bërë që 49-vjeçari të largohej. Duke menduar se kjo ishte vetëm një rastësi, gruaja e përgjuar nuk ka vepruar në rrugë ligjore. Por, sipas të dhënave, kjo gjë kishte vazhduar për disa ditë. Duke u bërë një situatë e rrezikshme dhe e bezdisshme, më në fund, dy ditë më parë, 40-vjeçarja Nestori i është drejtuar policisë duke bërë dhe denoncimin për atë. Fillimisht dhe policia është çuditur nga ky denoncim i bërë, por më pas ka nisur hetimet.
Policia
I padituri është thirrur në polici dhe është marrë në pyetje në lidhje me denoncimin e bërë nga ai. Burime të policisë thanë se janë duke e hetuar këtë rast, ndërkohë që po bëjnë verifikime nëse Cale dyshohet të jetë maniak apo jo. Të dhënat nga policia lokale kanë qenë të pakta, pasi çështja është ende në hetim. Por, deri tani, policia ka ngritur akuzën e “dhunimit të banesës” në ngarkim të shtetasit Pandi Cale, 49 vjeç, banues në fshatin Liqenas, Korçë. Ndërkaq, është duke u hetuar nëse ka pasur dhe raste të tjera që Cale ka përgjuar banore të tjera të fshatit të tij. Burimet e policisë thanë se çështja është duke u hetuar dhe se dosja ka kaluar në Prokurorinë e Korçës.
Kufiri
Kapen duke kaluar klandestinë, arrestohen
DEVOLL - Ndërsa tentonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin, dy klandestinë janë kapur nga forcat policore të Kapshticës në vendin e quajtur “Gryka e Ujkut”, në afërsi të fshatit Tren të Devollit. Arrestimi është bërë mëngjesin e ditës së djeshme. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se në pranga janë vënë: 26-vjeçari Bedri Pallani, lindur dhe banues në Roshnik të Beratit, 17-vjeçari me inicialet A. D., lindur dhe banues në Duhanas të Beratit. Ndërsa 50-vjeçari Xhafer Muço, lindur dhe banues në Kozarë të Kuçovës, i ndaluari i tretë, u zbulua se ishte trafikanti i të dyve, i cili i priste në tokën greke, pasi u kishte marrë nga 200 euro të rinjve të lartpërmendur. Prandaj ai u arrestua në flagrancë për kryerjen e veprës penale “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, parashikuar nga neni 298 i Kodit Penal. Policia tha se për këtë ngjarje janë kryer veprimet e para procedurale nga Sektori i Shërbimeve Operacionale dhe të Hetimit, ku shtetasi Xhafer Muço u arrestua në flagrancë. Dosja me materiale i ka kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.
28 Prill 2010