Kapet italiani me drogë në portin e Durrësit
DURRËS Seksioni Kundër Narkotikëve Durrës sekuestroi mbrëmjen e djeshme një sasi prej 17 kg e 116 gram lëndë narkotike të llojit Kanabis Sativa në Pikën e Kontrollit Fizik të Automjeteve të Portit Detar Durrës dhe arrestoi në flagrancë personin që po synonte trafikimin. Lënda narkotike e cila kishte si destinacion Italinë, transportohej nga një shtetas italian, i cili me autoveturën e tij po synonte daljen nga territori shqiptar. Kështu, në orën 24.30, u arrestua 45-vjeçari G. S., banues në Viarego Itali, me shtetësi e kombësi italiane, i dënuar në Itali për bashkëpunim në organizatë kriminale. Gjatë kontrollit të ushtruar rreth orës 20.10 në Pikën e Kalimit Kufitar Porti Detar Durrës, në pjesë të ndryshme të automjetit të tij tip Volvo me targa BL 319 CR, u gjetën të fshehura 35 pako të mbështjella me natriban transparent, brenda të cilave gjendej një sasi bimore që për nga karakteristikat ishte e ngjashme me atë të bimës narkotike kanabis sativa. Pas peshimit rezultoi të ishte në total një sasi prej 17 kg e 116 gram. Krahas lëndës narkotike, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti tip Volvo, dy telefona celulare, katër karta Sim si dhe sasia prej 300 Euro. Materialet proceduriale do t’i përcillen Prokurorisë për Krimet e Rënda për hetime të mëtejshme, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.