I sëmuri mendor ther me thikë nënën dhe veten
Tiranë, Agim Mejdani ka tentuar të vrasën nënën e tij Katen, pasi mendonte se i kishin “rrethuar e do t’i vrisnin”
TIRANË- “Na kanë rrethuar, sa të na ekzekutojnë më mirë vritemi vetë”. E pas këtyre fjalëve i sëmuri mendor ka goditur nënën e tij me thikë dhe më pas veten. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në një apartament në rrugën e Elbasanit, kur Agim Mejdani, 30-vjeç, ka tentuar të vrasën nënën e tij Kate Mejdani, 50-vjeçe dhe më pas ka goditur edhe dy herë veten me thikë.
Ngjarja
Efektivat e komisariatit të policisë nr.1, të sinjalizuar për ngjarjen mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e plagosjes së dyfishtë. Ndërkohë që dy të dëmtuarit u transportuan në Spitalin ushtarak ku ndodhen në reanimacion në gjendje të rëndë. Burime nga policia thanë për “Shekullin” se 30-vjeçari Mejdani ka qëlluar më parë nënën e tij dhe më pas veten. Plagosjen e ka kryer me një thikë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Mësohet se nënë e bir vuanin nga sëmundja psikike dhe për këtë kuroheshin. Ndërkohë që mesditën e djeshme 50-vjeçarja po flinte në dhomën e gjumit, kur djali i saj e ka goditur me thikë. Teksa e godiste, 30-vjeçari tregonte se iu kishin rrethuar shtëpinë njerëz të shumtë të cilët donin t’i vrisnin ndaj ishte më mirë që ata të vriteshin vetë. Halucinacionet e Mejdanit për pak i kushtuan jetën nënës së tij e cila, para se të humbte ndjenjat kishte mundur të telefononte një të afërmeje të saj që ndodhej në Durrës duke i treguar se çfarë i kishte ndodhur. Kjo e fundit lajmëroi menjëherë policinë duke iu treguar atyre edhe adresën e banesës.
Dëshmia
“Pasi shkuam në banesë konstatuam se dera ishte e mbyllur nga brenda. Kështu u detyruam të hynim nga dritarja por rreziku ka qenë i madh pasi apartamenti ndodhej në katin e katërt të pallatit”,- thanë burime nga policia. Pasi kanë hyrë në ambientet e banesës, policia ka gjetur në gjendje të rëndë dhe të gjakosur nënë e bir ndërsa bëri të mundur transportimin e tyre për në spital. Në bazë të deklarimeve që kanë dhënë në polici të afërmit e të plagosure, rezulton se Kate dhe Agim Mejdani vuanin nga sëmundja psikike për të cilën dhe kuroheshin në shtëpi. Ndërsa sipas rindërtimit të ngjarjes, policia deklaroi se 30-vjeçari me një thikë ka qëlluar më parë të ëmën dhe më pas ka goditur dy herë veten në pjesën e barkut. Dy të dëmtuarit aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve në reanimacionin e Spitalit Ushtarak. Burimet policore thanë se pritet përmirësimi gjendjes shëndetësore i të plagosurve për të mësuar dhe shkaqet dhe rrethanat e sakta të ngjarjes. Ndërkohë që policia ende nuk ka marrë ndonjë masë për autorin e ngjarjes i cili dyshohet të jetë i plagosuri Agim Mejdani.