E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e urisë, Arian Selimi humb ndjenjat në burg

 

Pas 12 ditësh grevë urie, i dënuari me 14-vite burgim ka pasur probleme të theksuara shëndetësore

TIRANË- Dita e 12 e grevës për të dënuarin me 14 vjet heqje lirie, shtetasin Arian Selimi nuk ka qenë si ditët e tjera, pasi vetëm gjatë ditës së djeshme ai ka pësuar dy herë humbje të ndjenjave për shkak të uljes së tepërt të tensionit të gjakut. Por, që falë shokëve të tij të qelisë ka mundur të shpëtojë pa pësuar ndonjë dëmtim trupor në momentin e humbjes së ndjenjave dhe rrëzimit në qeli. Burimet e rezervuara pranë institucionit të paraburgimit “313” konfirmuan se gjendja shëndetësore e të dënuarit Arian Selimi është rënduar, pasi nuk ka pranuar për 12 ditë ushqimin e institucionit dhe familjarëve të tij. Sipas këtyre burimeve, mësohet se i dënuari Selimi prej 12 ditëve pret ardhjen e ndonjë përfaqësuesit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë apo Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me kërkesat e tij drejtuar këtyre dy institucioneve që edhe pas 12 ditëve nuk kanë marr mundimin të vizitojnë qelinë e tij. Ndërkohë, burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të pyetur për rastin u shprehën për “Shekullin” se grevistit Arian Selimi i janë krijuar kushtet e parashikuara në rregulloren dhe ligjin për rastet e hyrjes në grevë të një të dënuari apo paraburgosurit. “Prej 12 ditëve, i dënuari Arian Selimi ka nënshkruar deklaratën e hyrjes në grevë dhe që nga ajo ditë, personeli mjekësor i këtij institucioni e ka vizituar vazhdimisht duke kontrolluar rrjedhën e gjendjes së tij shëndetësore”- thuhet nga burimet. Ndërkohë, burimet pranë paraburgimit 313 konfirmuan se kërkesat e të dënuarit Selimi janë që dosja penale nga e cila është dënuar të shqyrtohet nga inspektorët e KLD-së, pasi sipas tij ka një sërë shkeljesh nga trupat gjyqësore që e kanë deklaruar fajtor, duke u nisur që nga momenti i mos pranimit të gjykimit të dosjes në aplikim të gjykimit të shkurtuar e deri tek pretendimet për pafajësi. Sipas pretendimeve të Selimit, gjykatat nuk kanë pranuar shqyrtimin e dosjes në aplikim të gjykimit të shkurtuar edhe pse ia lejon legjislacioni shqiptar. Gjithashtu, i pandehuri pretendon se dënimi i tij është dhënë në mungesë të provave, pasi edhe prova e vetme e prokurorisë, ajo e përgjimit sipas tij ka rezultuar se ka shumë pak ngjashmëri me zërin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›