E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmet, i sëmuri mendor vret hallën e tij

 

Ademi ka masakruar hallën me shkelma e grushte me pretendimin se i kishte thënë zoti të bënte një gjë të tillë

Policia: Ngjarja për një konflikt të çastit, pasi autori nuk e lejonte hallën të dilte nga shtëpia

PËRMET- Një i sëmurë mendor ka rrahur për vdekje hallën e tij pasi kishte dëgjuar thirrjet e “Allahut” që e këshillonte të kryente një veprim të tillë. Ngjarja tronditëse ka ndodhur dje në Përmet. Burimet zyrtare të policisë theksuan dje se një 43- vjeçare ka humbur jetën ditën e djeshme pasi është masakruar me grushte nga nipi i saj, pas një konflikti banal. Policia ka vënë në pranga autorin e krimit, 32-vjeçarin Vladimir Ademi, një person që vuante nga depresioni.

Ngjarja

Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se ngjarja ndodhi paraditen e së dielës në fshatin Vinokash 2, në komunën Ballaban të rrethit Përmet. Ka qenë një telefonatë e mbërritur në Sallën Operative ajo që ka njoftuar krimin e ndodhur në familjen Ademi. Një konflikt banal ndërmjet hallës dhe nipit, të dy me probleme nervore, ka bërë që gjendja të acarohej në mënyrë të ndjeshme. “Ky shtetas e ka keqtrajtuar hallën e vet për një konflikt të çastit, pasi autori nuk e lejonte të dilte nga shtëpia. Ai i ka thënë asaj që të mos shkojë në ara”, është shprehur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai, për ngjarjen. Sipas tij, i sëmuri mendor i ka thënë hallës së tij “ më ka thënë Allahu mos dil nga shtëpia”. Menjëherë pas debatit, 32-vjeçari Vladimir Ademi, lindur dhe banues në fshatin Vinokash e ka keqtrajtuar hallën e tij, 43-vjeçaren Dashuri Hodobashi me grushte dhe shkelma, duke e përplasur në dysheme. Megjithëse është transportuar për në spitalin e qytetit të Përmetit, 43-vjeçarja ka ndërruar jetë disa orë pas ngjarjes për shkak të plagëve të rënda të marra. Ndërkaq, pas krimit, autori është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është arrestuar pas disa orësh pas një operacioni policor.

Policia

“Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe mjeku ligjor, ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe trupit të viktimës ka rezultuar se shkaku i vdekjes ishte dhuna e ushtruar nga shtetasi Vladimir Ademi. Autori menjëherë pas kryerjes së veprës penale, është larguar nga banesa. Forcat e Policisë së Komisariatit të Policisë Përmet, të mbështetura edhe nga efektivët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë bërë rrethimin e zonës dhe në mesditë është bërë e mundur kapja e tij në vendin e quajtur pylli i Ballabanit”,- ka theksuar më tej Mullai. Mësohet se 43- vjeçarja, pas vdekjes së bashkëshortit të saj, ishte kthyer të jetonte në fshatin e lindjes, në banesën e prindërve të saj, ndërsa dy fëmijët e saj jetojnë në fshatin SOS për arsye se kjo shtetase nuk i mbante dot se ishte e sëmurë mendore, me kartelë. Po kështu, sipas burimeve policore, mësohet se edhe autori i krimit, mjekohej për depresion, por nuk ka qenë i regjistruar me kartelë si person me probleme mendore. Akuza që rëndon tashmë mbi 32-vjeçarin Vladimir Ademi është ajo e plagosje e rëndë me dashje, me pasojë vdekjen. Kjo është hera e parë që gjatë këtij viti regjistrohet një vrasje e tillë e ndodhur në qarkun e Gjirokastrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›