Kapet me 1kg marijuanë 23-vjeçari
KAKAVIJË
GJIROKASTËR- Tentoi të trafikonte drejt Greqisë 1 kilogram marijuanë, por arrestohet nga policia. 23-vjeçari Gentian Zotaj, banues në Fratar të rrethit Mallakastër, është ndaluar në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës.
Pasditen e së martës 23-vjeçari është paraqitur në Kakavijë për të kryer procedurat e largimit drejt Greqisë, ku edhe jetonte si emigrant.
Ka qenë kontrolli rutinë që ka zbuluar lëndën narkotike të fshehur në bagazh.
"Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip "Volksvagen Golf 4", me targa greke YHH 7708, i cili drejtohej nga shtetasi Gentjan Zotaj, kanë konstatuar në bagazhin e këtij automjeti, në guverin e muzikës (boks i madh muzike), në brendësi të guverit një qese transparente me ngjyrë të bardhë, ku brenda saj kishte lëndë narkotike, gjithsej 1 kilogramë marijuanë", ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai.
Tashmë 23-vjeçari do të ndiqet penalisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për veprën penale të "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike".
ELBASAN
Grindet me familjen, tenton vetëvrasjen
ELBASAN-Një 34-vjeçare ka përfunduar në gjendje të rëndë në spital pasi kishte tentuar t'i jepte fund jetës së saj duke pirë një sasi helmi vreshtash.
Zhaneta Pecaku, 34 vjeçe, lindur në Korçë e banuese në lagjen "5 Maj", pasi ka pasur një grindje në familje, është mbyllur në dhomën e saj dhe ka pirë një sasi helmi që shërbente për spërkatjen e pemëve frutorë. Kanë qenë pjesëtarët e familjes që e kanë gjetur në gjendje të rënduar dhe e kanë trasportuar drejt spitalit me urgjencë.
Gruaja ka mbërritur në gjendje të rënduar dhe ka marrë të gjithë mjekimin e nevojshëm. Ende 34-vjeçarja ndodhet në gjendje kritike në spitalin kirurgjik. Sipas policisë, shkak për vetëhelmimin kanë qenë grindjet familjare.
Dëmtohet punëtori i Kurum-it, i ra një tra në këmbë
ELBASAN - Një punëtor i Kurumit ka përfunduar në spital, pasi teksa punonte është dëmtuar nga një tra. Grigor Ilia, 47 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në lagjen "5 Maj" ka qenë duke punuar në Uzinën e Petëzimit kur një tra që përdoret për transportin e shufrave të hekurit i ka rrëshqitur duke e dëmtuar rëndë në pjesën e këmbës. I dëmtuari ka marrë mjekimin në spitalin kirurgjik dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, i cili pasi kreu veprimet e para procedurile, konstatoi se ky shtetas ka qenë duke punuar dhe në punë e sipër ka rënë trau. Si pasojë e ka dëmtuar në këmbën e djathtë. Për këtë rast kanë nisur hetimet për "shkelje të rregullave të sigurisë në punë".