E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuota e grave, partia e agrarëve, në Kolegjin Zgjedhor

KQZ-ja ka kaluar PAA-në, e cila nuk kishte plotësuar kriterin ligjor për gratë.


TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kaloi dje, në kundërshtim me ligjin, listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Agrare Ambientaliste, pasi kjo e fundit nuk kishte plotësuar numrin e duhur të përfaqësuesve femra në të.


Disa ditë më parë, KQZ-ja ia ktheu listën, me qëllim plotësimin e numrit të nevojshëm të kandidatëve femra, PAA-së, duke i lënë kohë deri në datën 27 maj, e cila korrespondon edhe me përfundimin e afatit të dorëzimit të çdo liste.


Në mbledhjen e zhvilluar dje, anëtarët KQZ-së kanë miratuar listat e kësaj force, por pa vënë re se në dy qarqe dhe, konkretisht, në Fier dhe Shkodër nuk ishte respektuar detyrimi për të pasur përfaqësimin e duhur të grave në të.


Është dashur ndërhyrja e përfaqësuesit socialistë në KQZ që të evidentohej një problem i tillë, çka ka detyruar fillimisht KQZ-në që të pezullojë vendimmarrjen e saj për këtë çështje, derisa administrata të bënte verifikimet e duhura dhe për ta diskutuar atë në mbledhjen e pasdites.


Por, një gjë e tillë nuk është respektuar dhe KQZ-ja nuk e ka futur më në rend të ditës një çështje të tillë, duke lënë që vendimi për miratimin e listave të PAA-së të hyjë në fuqi në heshtje.


Ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës në këtë komision kanë kërcënuar se në rast se KQZ-ja nuk rivlerëson vendimmarrjen e saj për listat e PAA-së, atëherë ata do ta çojnë çështjen në Kolegj Zgjedhor.


E kontaktuar nga "Shekulli", përfaqësuesja e PS-s, në KQZ, Dëshira Subashi, u shpreh se, pas miratimit që iu bënë listave të agrarëve, ky institucion nuk mund të rigjykojë vendimet e tij dhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje i duhet drejtuar Kolegjit Zgjedhor.


"Ky është institucioni që ka të drejtën ligjorë për të shqyrtuar këtë çështje",- tha Subashi. Me qëllim rritjen e rolit të grave në politikë, Kodi Zgjedhor e ka sanksionuar që ato të përfaqësohen me 30% të numrit të kandidatëve të çdo partie.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›