Tension në gjyq, kërcënohen gjyqtarë dhe prokurorë
"Banda Durrësit"
Të akuzuarit e bandës braktisin avokatët dhe refuzojnë caktimin e avokatëve kryesisht, në shenjë proteste braktisin sallën
Të pandehurit: Mos zhvilloni gjyqin pa ne: Coli avokatëve: Mos zvarrisni procesin do hani ndonjë plumb
TIRANË- Tensionet, debatet dhe kërcënimet e ndërsjella mes të pandehurve, kanë shoqëruar dje seancën e 80 gjyqësore në ngarkim të 16 të pandehurve të akuzuar si pjesëtarë të "bandës" së Durrësit, ndaj të cilëve rëndojnë një sërë akuzash të rënda penale të kryera në qytetin bregdetar pas vitit 1997.
Tensionet morën rrugë pas kërkesës së përfaqësuesve të akuzës për pyetjen e të penduarit të bandës Adriatik Coli. Gjykata pranoi të fillonte pyetja e të penduarit të kësaj "bande" njëkohësisht të pandehurit Adriatik Coli. Dëshmia e tij që prej një viti është bllokuar nga avokatët dhe të pandehurit e këtij procesi.
Këta të fundit me pretendime të ndryshme në mënyrë të përsëritur kanë vazhduar prej më shumë se 60 seancave gjyqësore të zvarrisin këtë proces gjyqësor, që dje arriti kulmin, kur të pandehurit e "bandës" kërcënuan togat e zeza për të vazhduar më tej edhe me kërcënimin e të penduarit Coli të drejtuar avokatëve duke kërkuar mos zvarritjen e këtij procesi.
"Pas shtyrjes së më tepër se 60 seancave gjyqësore, për shkak të të pandehurve dhe avokatëve të tyre mbrojtës, paraditen e djeshme, ishin të pranishëm në sallën e numër 1 të Gjykatës së Krimeve të Rënda të gjithë avokatët e të pandehurve si asnjëherë më parë.
Por, menjëherë pas legjitimimit të palëve nga ana e Gjykatës dhe largimit nga salla e gjyqit të publikut dhe medieve me kërkesë të prokurorisë, e cila do fillonte pyetjen e të penduarit Adriatik Coli, është ngritur i pandehuri Lulëzim Berisha duke i përjashtuar dy mbrojtësit e tij ligjorë Arben Qeleshi dhe Ilia Ilia të zgjedhur nga ai dhe familja e tij.
"Nuk i dua këta dy avokatë, dua që të largohen nga salla e gjyqit se do marr avokatë të tjerë. Nuk mbrojnë më interesat e mia ligjore këta dy avokatë,- është shprehur Berisha. Ai i kërkoi gjykatës shtyrjen e seancës për të gjetur avokatët të tjerë,- thanë dje për
"Shekullin" burime të Gjykatës së Krimeve të Rënda. I menjëhershëm, sipas këtyre burimeve, ka qenë edhe reagimi i të pandehurve Indrit Taullaj e Endrit Dokle, të cilët gjithashtu kërkuan largimin e avokatëve mbrojtës të tyre.
Ky reagim i të pandehurve, ka irrituar trupën gjykuese prej pesë gjyqtarësh, që kërkuan zëvendësim me avokatë të caktuar kryesisht.
Ky vendim i togave të zeza shkaktoi reaksion tek të pandehurit Berisha, Dokle e Taullaj, të cilët gjatë largimit nga salla e gjyqit, i janë drejtuar gjykatës me fjalët: ne po ikim, ju (gjykata dhe prokuroria) vazhdoni gjyqin pa ne dhe do ta shikoni pastaj.
Më caktoni avokat kryesisht që nuk e dua unë dhe pastaj do ta shikoni ju". Këto fjalë, janë cilësuar nga Gjykata si një kërcënim i pastër dhe sipas burimeve në ditët në vazhdim do të merren masa nga institucioni i akuzës.
I penduari
Por, jo vetëm të pandehurit Berisha, Dokle e Taullaj, drejtuan kërcënime ndaj gjykatës e prokurorëve, shprehje kërcënuese iu drejtoi në fund të seancës gjyqësore edhe i penduari Coli avokatëve mbrojtës, që sipas tij po zvarrisin procesin pa arsye.
"Vazhdoni të mos vini në proces e ta zvarrisni këtë gjyq, po do ta hani plumbin edhe ju,- i është drejtuar i penduari avokatëve, të cilët reaguan ashpër, duke paralajmëruar atë për kallëzim në prokurorinë e Tiranës.
Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari u detyrua të shtyjë seancën e djeshme gjyqësore, pas braktisjes së sallës nga të pandehurve dhe avokatëve të tyre mbrojtës, duke caktuar javën tjetër si ditë që do të vazhdojë seanca gjyqësore.
Alibeaj: Do merren masa për këtë ngjarje
Pas përfundimit të kësaj seance gjyqësore, mes tensionit, debatit e kërcënimeve, mësohet se është interesuar edhe vetë Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj.
Ai mësohet se është informuar mbi të gjithë problemet e vërejtura gjatë ditës së djeshme në procesin gjyqësor të bandës së Durrësit. Sipas burimeve, për tensionin e djeshëm në sallën e gjyqit, Alibeaj, ka premtuar se se do merren masat e nevojshme për ecurinë e këtij procesi gjyqësor.
Katër ditë më parë, u ekstradua një nga anëtarët
Një nga të pandehurit e tjerë të bandës së Durrësit, Bujar Gashi, u ekstradua nga Italia, ndërsa në ngarkim të tij, Gjykata e Krimeve të Rënda, kishte nxjerrë një vendim arresti në mungesë. Gashi, 37 vjeç, i akuzuar për vrasjen e Dritan Dishës në vitin 2000, si dhe krime të tjera në kuadër të bandës së mësipërme.
Ekstradimi i tij është kryer mbrëmjen e të hënës vonë nga Italia me një avion të një shoqërie ajrore që është nisur nga Milano, ndërsa ai u shoqërua në masa të rrepta sigurie.
Bujar Gashi, 37 vjeç, nga Durrësi, akuzohet për veprën penale të vrasjes dhe pjesëmarrjes në organizatat kriminale, armëmbajtjes pa leje e akuza të tjera, që prej vitit 2001, një vit pas krimit ndaj Dritan Dishës, për të cilin dyshohet se është ekzekutori i tij.
Ai është arrestuar rreth 2 vite më parë, nga policia italiane, pasi ndaj tij Gjykata e Krimeve të Rënda, kishte marrë masën e arrestit në mungesë me akuzat e mësipërme.