Kapet me 2 kg kokainë, pranga boshnjakes
Shkodër - Policia vë në pranga një person të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. 2 kilogramë kokainë u sekuestruan, ndërsa u arrestua një shtetase e huaj, me origjinë boshnjake. Gruaja u prangos në pikën kufitare të Murriqanit, ndërsa droga u gjet në një automjet tip ‘Golf”.
Deri më tani policia ka bërë të ditur vetëm inicialet e gruas, ndërsa identiteti i saj nuk bëhet i ditur. Ndalimi i kësaj të fundit u bë pas një kontrolli të realizuar në automjetin me të cilin ajo udhëtonte, duke e shoqëruar më pas për në zyrat e policisë së Shkodrës.
Gruaja me origjinë boshnjake, por që jetonte në Itali mendohet se është pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës dhe pritet që së shpejti të hidhet edhe më tepër dritë për personat e tjerë të lidhur me të. Ndërkaq vazhdojnë hetimet për dërguesit, si dhe porositësit e kokainës së sekuestruar.