Presidenti Topi, sot në SHBA
Në seancën e posaçme të debatit të përgjithshëm, presidenti Topi pritet t’u drejtohet të pranishmëve në këtë veprimtari me një fjalë, në të cilën do të përshkruhen arritjet dhe sukseset e Shqipërisë në rrugëtimin e saj euro-atlantik, vizioni dhe bashkëpunimi i saj me OKB-në dhe organizmat e tjera ndërkombëtare, kontributi i vendit tonë në luftën globale kundër terrorizmit dhe sfidat kryesore me të cilat përballet sot njerëzimi, si dhe qëndrimi tashmë i njohur mbi shtetin më të ri ballkanik të Kosovës dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit rajonal e më gjerë.
Presidenti Topi do të zhvillojë një sërë takimesh pune me homologë të tij, si dhe autoritete të larta drejtuese të shteteve pjesëmarrëse.
Pjesë e axhendës së vizitës së Presidentit të Republikës në SHBA është edhe një vizitë në qytetin e Bostonit, ku Presidenti Topi do të takojë bashkësinë shqiptaro-amerikane të Bostonit, si dhe do të jetë i pranishëm në veprimtaritë e 100-vjetorit të themelimit të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare në Amerikë dhe kontributit të rëndësishëm historik të Fan S. Nolit në krijimin dhe ruajtjen e autoqefalisë së saj.